Qeveria shqiptare vendos: Nuk lejojmë avion rus në hapesirën e Shqipërisë. Ekipi futbollit nuk do të zhvillojë ndeshjen me Rusinë

0 206

Fjala e plotë e ministres Olta Xhaçka:

Të dashur qytetarë
Unë nuk mbaj mend një ngjarje tjetër që të ketë bashkuar në indinjatë, solidaritet por edhe vendosmëri, qytetarët e mbarë Europës demokratike sesa agresioni i paprovokuar dhe i paligjshëm rus kundër Ukrainës.
Besoj që shpreh atë që ndjejnë sot të gjithë shqiptarët kur them që rezistenca heroike e popullit ukrainas kundër këtij agresioni ka fituar respektin dhe admirimin e të gjithë ne.
Lufta në Ukrainë është shumë më tepër sesa një luftë për lirinë e Ukrainës. Është një luftë për të ardhmen e Europës demokratike, për arkitekturën e sigurisë dhe të bashkëpunimit në kontinetin tonë dhe për të ardhmen e sistemit ndërkombëtar.
Le ta themi troç dhe hapur sepse ky është qëndrimi i Shqipërisë dhe shqiptarëve: agresioni rus kundër Ukrainës është i paprovokuar. Kjo nuk është një luftë mbrojtëse dhe nuk është një luftë që bëhet në emër të interesave legjitime të sigurisë të Rusisë apo të popullit rus.
Ky është një agresion i pastër, një luftë e paligjshme dhe kriminale kundër një vendi dhe një populli të pafajshëm që kurrë nuk e ka kërcënuar Rusinë, mëkati i vetëm i të cilëve është dëshira për të ndërtuar një shtet modern e demokratik në Europë sipas një modeli që nuk i pëlqen regjimit diktatorial të Moskës.
Përgjegjësia për këtë luftë është e Vladimir Putin dhe e udhëheqjes ruse dhe e askujt tjetër. Besoj që gjatë këtyre ditëve i keni parë e ndjekur në media reagimet e vendeve aleate me ne për masa e sanksione kundër Rusisë dhe mbështetje për Ukrainën.

Në këtë përballje dramatike dhe epokale të kohës tonë, ne jemi krenarë që Shqipëria po luan një rol mjaft të rëndësishëm, por edhe duke dhënë një kontribut të dorës së parë sidomos në fushën e diplomacisë.
Që nga OSBE e NATO ku propozimet tona kanë qenë konkrete e të guximshme, e deri në Këshillin e Sigurisë të OKB ku në bashkëpunim me Misionin e Shteteve të Bashkuara vendi ynë po luan një rol të dorës së parë në trajtimin e dosjes së Ukrainës.
Disa ditë më parë, bashkë me SHBA vendi ynë propozoi një rezolutë në Këshillin e Sigurimit ku i bëhej thirrje Rusisë që të ndalonte sulmin ndaj Ukrainës dhe të tërhiqte të gjithë trupat e saj nga ky vend, duke e detyruar Rusinë të përdorë veton e duke treguar fare qartë në sytë e të gjithë botës sesa e izoluar është Rusia në këtë sipërmarrje kriminale kundër një shteti sovran.

Gjatë ditës së sotme, në Këshillin e Sigurimit do të votohet për ta diskutuar këtë rezolutë në Asamblenë e Përgjithshme, çka do të demonstrojë edhe një herë izolimin e skajshëm të Rusisë në arenën ndërkombëtare.
Shqipëria po ashtu, pa asnjë hezitim ju është bashkuar masave shtrënguese të ndërmarra nga BE kundër Rusisë.
Aktualisht, qeveria shqiptare është duke hartuar bazën ligjore për zbatimin e masave shtrënguese ndaj Rusisë dhe subjekteve të saj, të miratuara nga Këshilli i Bashkimi Evropian që nga data 23 shkurt e deri më 25 shkurt 2022. Këto masa kanë karakter individual dhe ekonomik.
Ju jemi bashkuar sanksioneve individuale për ngrirjen e aseteve te individëve që shkojnë që nga Presidentit rus, Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, anëtarët e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Federatës Ruse, të cilët mbështetën njohjen e menjëhershme nga ana e Rusisë të dy zonave të kontrolluara joqeveritare të Donjeckut dhe Luhanskut, si entitete të pavarura dhe anëtarët e Dumës Shtetërore Ruse, të cilët ratifikuan vendimin e qeverisë të Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Ndihmës së Ndërsjellë ndërmjet Federatës Ruse dhe këtyre dy entiteteve.

Në total, këto masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte. Përveç kësaj, është vendosur edhe ndalimi i udhëtimit në territorin shqiptar për personat e listuar nga BE, ndërkohë që lidhur me politikën e vizave është në shqyrtim anulimi i politikave lehtësuese për lëvizjen e diplomatëve, zyrtarëve të tjerë rusë dhe njerëzit e biznesit.
Sanksionet ekonomike përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji.
Në Sektorin e energjisë do të ndalohet shitja, furnizimi, transferimi ose eksportin në Rusi i mallrave dhe teknologjive specifike për rafinimin e naftës dhe do të vendosë kufizime në ofrimin e shërbimeve përkatëse.
Në Sektorin e transportit do të ndalohet eksporti që mbulon mallrat dhe teknologjinë në industrinë e aviacionit dhe hapësirës, si dhe do të ketë një ndalim për ofrimin e shërbimeve të sigurimit dhe risigurimit dhe mirëmbajtjes në lidhje me ato mallra dhe teknologji. Do të ndalohet gjithashtu ofrimin e asistencës teknike dhe financiare përkatëse.

Në sektorin e teknologjisë do të vendosen kufizime të mëtejshme për eksportet e mallrave dhe teknologjisë me përdorim të dyfishtë, si dhe kufizime në eksportet e mallrave dhe teknologjisë së caktuar, të cilat mund të kontribuojnë në përmirësimin teknologjik të Rusisë në sektorin e saj të mbrojtjes dhe sigurisë. Kjo do të përfshijë produkte të tilla si gjysmëpërçuesit ose teknologjitë më të fundit.

Krahas këtyre masave, duke konsideruar situatën e paprecedente te krijuar, në vijim te masave te ndërmarra në nivel europian hapësira ajrore e Republikës së Shqiperisë do të jetë e mbyllur prej mbrëmjes së sotme për të gjithë operatorët ajrorë rusë apo çdo avion të regjistruar në Rusi, me përjashtim të rasteve kur të tilla fluturime kryen për arsye emergjence, qëllime humanitare apo mjekësore apo nevoja ndërshtetërore.
Po ashtu, Shqipëria nuk do të marrë më pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës.
Së fundi, jemi duke punuar për ofrimin brenda mundësive tona të ndihmave në materiale ushtarake dhe spitalore, etj, për Ukrainën.
Në ditët në vijim, do të kemi më shumë informacion për të ndarë me ju lidhur me zbatimin e këtyre masave. Ndërkohë që dua të theksoj që Shqipëria do të vazhdojë të bashkohet me çdo nismë e masë të aleatëve e partnerëve tanë. Ky është një detyrim që çdo vend demokratik ka sot jo vetëm ndaj Ukrainës, por edhe ndaj shoqërive e popujve tanë dhe të ardhmes së fëmijëve tanë.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.