Rama merr dhurata nga Erdogan dhe sulmon BE nga Turqia

0 417

Konferenca e kreut të qeverisë Edi Rama me presidentin turk, Rexhep Taypp Erdogan sot në Ankara, veç lajmeve për investime turke në Shqipëri, tregoi dhe distancimin e hapur të Tiranës nga Bashkimi Europin. Erdogan bëri një sërë premtimesh për Edi Ramën dhe të gjitha “dhuratat” duket se lidhen me fushatën elektorale të 25 prillit. Marrëveshjet, Spitali i Fierit dhe çështje të tjera u dukën më shumë se pjesë e propagandës elektorale sesa marrëdhënie normale dhe bashkëpunim mes dy shteteve.

Pas premtimeve që mori nga Erdogan kryeministri Edi Rama i ka kthyer borxhin duke sulmuar Bashkimin Europian. Rama tha se Turqia e ndihmoi Shqipërinë gjatë pandemisë, ndërsa BE i mbylli dyert. Një deklaratë e tillë është diplomatikisht e pa vend, nëse kemi parasysh se BE ka dhënë rreth 100 milionë euro për pandeminë. Ambasadori i BE në Tiranë duhet të jetë i parë që duhet të shqetësohet për qëndrimet e tilla të qeverisë shqiptare.

Pika tjetër e takimit ku Edi Rama u distancua qartë nga qëndrimet e BE është qëndrimi për organizatën e Fejtyllah Gylen. Edi Rama e cilësoi, ashtu si Erdogan, organizata terroriste FETO dhe premtoi se do të ndihmonte Turqinë në luftën kundër kësaj organizate. BE nuk e klasifikon FETO si organizatë terroriste, por ka akuzuar Erdogan për shkelje të të drejtave të njeriut në trajtimin e anëtarëve të kësaj organizate. Turqia ka kërkuar ekstradimin e një sërë eksponentësh të Gylen në Shqipëri dhe sekuestrimin e pronave të tyre. Me deklaratën e sotme Edi Rama duket se i ka dhënë gjithçka Erdogan duke shkelur dhe një sërë rezolutash të BE dhe SHBA.

Këto dy qëndrime nuk janë të vetmet që tregojnë afrimin e Edi Ramës me modelin politik të Erdogan, por janë sinjalet më të dukshme të një kursi anti BE që Edi Rama e shpalosur sot në krah të Erdogan.

Qëndrimet kundër BE në Turqi nuk janë thjesht servilizëm diplomatik, por përgatitje e terrenit nga qeveria “Rama” për të gjetur aleatë të tjerë strategjikë jashtë Bashkimit Europian. Kur në vendet e BE qeveria “Rama” po shihet si një model i ngjashëm me regjimet, kryeministri ka zgjedhur aleatët që shpresojnë ta ndihmojnë për të qëndruar në pushtet. Ndaj vizita sot në Turqi nuk ishte diplomatike, por tërësisht politike dhe lidhet vetëm me pushtetin e Ramës.

/Koha Jonë/

Leave A Reply

Your email address will not be published.