Rama në Prishtinë/Krasniqi: Lajm nëse takon Haradinajn. Skenar për të fituar kredenciale personale

0 337

Analisti Afrim Krasniqi, teksa ka komentuar vizitën e kryeministrit Edi Rama në Prishtinë, thotë se është skenar për të fituar kredenciale personale. Sipas tij, i vetmi lajm në këtë histori është nëse kreu i qeverisë, Edi Rama do të takojë ish-kryeministrin Ramush Haradinaj dhe nëse në emër të asaj që ai thotë, t’i lëmë pas sherret dhe të kalojnë në një unifikim të qëndrimeve. Për Krasniqin, Rama duhet të mësohet të respektojë institucionet e Kosovës.

”Vizita ishte në kohën e duhur për kryeministrin, i cili gjatë muajve të fundit nuk ka pasur asnjë komunikim me Kosovën. Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë kanë qenë në pikën e tyre më kritike, asnjëherë nuk kanë qenë të tilla që nga shpallja e pavarësisë. I vetmi lajm në këtë histori është nëse Rama do të takojë Haradinajn dhe nëse në emër të asaj që ai thotë, t’i lëmë pas sherret dhe të kalojmë në një unifikim të qëndrimeve, të shohim se si ai do të sillet ndaj akuzës që ai ka bërë Haradinajt dhe procesit gjyqësor në Kosovë. Nuk mund të shkosh t’i thuash në Kosovë liderëve politikë, t’i lëmë të gjitha pas dhe të kontestojmë gjykatën ndërkombëtare për t’u bashkuar kur vetë kryeministri ka hedhur në gjyq, në mënyrë të paprecedentë, një politikan të një vendi tjetër me akuzë politike. Ka një non sens në këto qëndrime. Ky është rasti ku Rama duhet ta njohë më mirë Kosovën dhe Kosova ta njoh më mirë Ramën. Rama nuk është heroi i Kosovës që pretendohej në 2013-ën, por një politikan që përpiqet të fitojë kredenciale personale në këtë krizë. Rama duhet të mësohet të respektojë institucionet e Kosovës”,-tha në ”A2cnn”.

Nga ana tjetër, ai nënvizon se nuk duhet të përdoret UÇK-ja për kredenciale personale. Për të, skenarët dhe truket nuk i përkasin botës shqiptare. Ai nënvizon edhe se përgjegjësitë janë personale, ndërsa lufta e një populli për liri është diçka shumë e madhe.

“Kosova nuk është fuqi e tillë ndërkombëtare që mund të luajë midis aktorëve globalë dhe të akuzojë se dikush prej tyre ka ndërhyrë për të krijuar këtë lloj precedenti. Kosova është ndodhur si viktimë në një moment të caktuar. Skenarët dhe truket nuk i përkasin botës shqiptare. Unë them se duhet të presim reagimin e SHBA, Berlinit dhe Parisi. Deri sa këta tre aktorë nuk kanë reaguar, gjithçka tjetër është konsum ditor. Mesazhi që u mundur të përmend Thaçi është përpjeka për të identifikuar aktakuzën dhe zhvillimet me UÇK-në për lirinë e Kosovës në vitin ‘98-’99. Ky është një mesazh pak kompleks dhe gati jo realist. Nuk ka një akuzë ndaj UÇK-së. Akuza është e personalizuar, e drejtuar tek individët dhe individët nuk duhet ta përdorin UÇK-në për kredenciale personale. Përgjegjësitë janë personale, ndërsa lufta e një populli për liri është diçka shumë e madhe, nuk është drejtuar nga një person i vetëm dhe si e tillë nuk mund të ngushtohet kaq shumë sa për ta kanalizuar dhe të barazohet me individët, kushdo qoftë ai”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.