Reforma territoriale: bashki dhe bakshish

0 40

Artan Fuga

Reforma territoriale: bashki dhe bakshish
Të vjen keq të shohësh dhe dëgjosh se edhe persona ose grupe që pretendojnë se janë opozitarë e trajtojnë çështjen themelore të pushtetit lokal si “reforma e territorit”.
Pra, si do të ndajmë parcelat e votave me pak fjalë!
Nuk kanë as gojë, se mbase mend edhe mund të kenë, që të artikulojnë se kjo çështje është fare pak e lidhur me territorin, por është në thelb e lidhur me vendosjen e pushtetit lokal në shërbim të qytetarit.
A u bie ndonjë në çikë në tru se çfarë lidhje ka midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe mbjeljes me kanabis dhe shndërrimit të vendit në prodhues bimësh narkotike?
Au bie ndonjë çikë në hatër se çfarë lidhjeje ka midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe shkretimit demografik të zonave rurale të vendit dhe emigrimit apo mbledhjes të Shqiptarëve buzë Lane?
A u bie ndonjë çikë në mendje se çfarë lidhjeje ka midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe betonizimit të disa qyteteteve, kryesisht të Tiranës, ku ajri, toka, ujët pësojnë ndotje?
A u bie ndonjë çikë në vesh se çfarë lidhjeje ka midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe aferave si ajo e incineratorëve? pra me korrupsionin?
A u bie ndonjë çikë në midè se çfarë lidhjeje ka midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe uzurpimit të mediave nga propaganda e dhunëshme dhe nga fake news-i?
A u bie ndonjë çikë në kokë se çfarë lidhjeje ka midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe rritjes të çmimeve të ujit dhe energjisë elektrike në zonat e mëdha urbane, dhe rritjes të varfërisë dhe papunësisë në to?
A u bie ndonjë çikë në fiqir se çfarë lidhjeje ka midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe faktit që në këshillat tanimë bashkiake nuk ka më pothuajse asnjë person me banim në fshat, pra ku qyteti ja ka hyp fshatit?

A u bie ndonjë çikë në qeder se çfarë lidhjeje ka midis nga njëra anë shkatërrimit të pushtetit lokal dhe nga ana tjetër rrënimit të rrugëve periferike të qyteteve, rrugëve dytësore, rrugëve rurale?
A u bie ndonjë çikë në imagjinatë se çfarë lidhjesh ka midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe rrënimit të mediave lokale të kthyera në lëvere për t’u nderë në tel?
A u bie ndonjë çikë në kaplloqe se çfarë lidhjesh ka midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe distancës katastrofike midis qytetarit dhe vendimmarrjes politike që qysh nga maja e thanës, nga maja e Tiranës, flet si e jëma, e Zeqos ta zemë për dhitë dhe derrat e Lunxhërisë apo për misrin e Rroskovecit?
A u bie ndonjë çikë në ndërgjegje ideja e lidhjes midis shkatërrimit të pushtetit lokal dhe furtunës të tenderave për miq e shokë nga Veriu në Jug?
A u bie në erë që të gjithë ata kryetare bashkish që janë bërë kryetarë bakshishesh, që janë dënuar, kapur me presh në dorë, apo që do kapen akoma kanë lidhje me degradimin e pushtetit lokal ku kryetari është tenderuesi, shefi i partisë, kryetari i shkillit bakshishiak, etj? Vetë zot vetë shkop, vetë çomange vetë sirop?

Leave A Reply

Your email address will not be published.