Reshje shiu dhe stuhi. Ministria: Priten përmbytje në gjithë vendin

498

Durrësi, Lezha, Vlora dhe Saranda janë qytetet që dy ditët e fundit janë përfshirë nga reshje të mëdha shiu dhe stuhi. Situata pritet të përkeqësohet në ditët në vijim dhe në zona të tjera të vendit. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në një njoftim për mediat, informon se reshjet e shiut pritet të jenë edhe më të mëdha.

Ministria thotë se në disa zona të vendit priten përmbytje, si pasojë e reshjeve që mund të arrijnë mbi 90 milimetra në ditë. Ndërkohë parashikimet flasin për reshje masive në gjithë territorin e vendit.

Nisur nga raportet e Qendrës Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore, të cilat flasin për një mot shumë të vështirë, me reshje të dendura, erë të fortë dhe rreziqe për përmbytje në tre ditët në vijim, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe institucionet e saj të varësisë kanë kaluar në gjendje gadishmërie të plotë. Sipas parashikimeve priten reshje shumë intensive (më shumë se 90 mm/ 24 orë) në pothuajse të gjithë territorin, gjatë natës së të mërkurës dhe gjithë ditën e enjte. Reshjet do të shoqërohen me shtrëngata në të gjithë vendin”,- thuhet në njoftimin e MIE.

Situata më problematike pritet të jetë ditën e premte, ku parashikimet flasin për reshje në gjithë territorin e vendit. “Ditën e premte, datë 8 nëntor, pritet një rënie e intensitetit të reshjeve në të gjithë vendin, të cilat do të  arrijnë nivelin 45-90 mm/24 orë, ndërsa ditën e shtunë datë 9 nëntor priten reshje të dobëta në të gjithë vendin 15mm/24 orë. Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM-it, rezulton se përgjatë fundit të ditës së mërkurë për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve do të rritet rreziku për përmbytje vërshuese në të gjithë vendin. Në këto kushte të gjitha institucionet e varësisë së MIE janë duke marrë masat e duhura për të siguruar shërbimet bazë ndaj qytetarëve si dhe për t’u ardhur atyre në ndihmë në çdo rast që do të kenë nevojë”,- njofton Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministria njofton se janë në gatishmëri të plotë gjithë institucionet që kanë detyra të posaçme për situatat e përmbytje; OST, OSHEE, Aviacioni Civil si dhe Portet detare të vendit. Gjithashtu janë publikuar dhe numrat ku qytetarët mund të ankohen dhe gjejnë ndihmë për problemet e shkaktuara nga moti. “Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë fton qytetarët që për çdo rast rreziku apo vështirësie të njoftojnë përmes numrit unik të emergjencave 112, si dhe numrave përkatës të strukturat tona: OSHEE: 04 227 41 41, ARRSH  067 39 82 866, DPSHTRR  068 80 15 833”,- thuhet në njoftimin zyrtar.

Durrës

 

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.