Riformatimi KQZ është kusht i panegociueshëm i opozitës së bashkuar

0 329

Nga Aleksandër Biberaj-

Nuk ka zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe as Reformë Zgjedhore pa riformatimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. KQZ-ja është institucioni kryesor kushtetues që menaxhon dhe certifikon rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe ndarjen e mandateve të deputetëve. KQZ-ja aktuale është bërë në fakt si komitet qëndror i zgjedhjeve në PS. Riformatimi i KQZ-së është kusht i panegociueshëm i opozitës së bashkuar! SHBA, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, duhet të garantojnë zbatimin e marrëveshjes dhe riformamatimin e KQZ-së!

Të dashur miq,

Siç po i ndiqni besoj zhvillimet politike në vend, qeverisja ilegjitime e dalë nga zgjedhjet e manipuluara të vitit 2017, po përpiqet që të shmangë dhe të shtyjë miratimin në Parlament të marrëveshjes së arritur për Reformën Zgjedhore, përfshirë edhe riformatimin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. KQZ-ja aktuale ka treguar mëse një herë se është bërë në fakt më shumë një Komitet Qendror Zgjedhor i Rilindjes, një shtojcë dhe vegël qorre në duart e pushtetit, sesa një institucion i pavarur dhe kushtetues me rëndësi të jashtëzakonshme për demokracinë siç e parashikon edhe legjislacioni.

KQZ-ja aktuale me një dominancë të frikshme anëtarësh që i përkasin qeverisë dhe me një vendim-marrje me shumicë të thjeshtë (4 me 3) nuk përbën asnjë lloj garancie për zgjedhje të lira dhe të ndershme. KQZ-ja është kritikuar shumë edhe në raportin e OSBE/ODIHR si institucion i një anshëm që me vendimet e veta jo-ligjore por politike, ka deformuar rezultatin zgjedhor. Edhe rasti i fundit kur KQZ-ja voton politikisht kundër ndërprejes së mandateve për kryebashkiakët e Matit dhe Librazhdit, ndërkohë që të dy këta individë kanë shkelur ligjin, shkelje të certifikuara dhe të klasifikuara edhe nga sistemi i drejtësisë si inkriminim.

Edhe vitin e kaluar ishte po kjo KQZ-ja politike, që në kundërshtim me Kushtetutën, dekretin e Presidentit dhe legjislacioni në fuqi organizoi palaco-procesin farse të vet-votimit monist të Rilindjes, votim me një kandidat, duke shkelur edhe liritë dhe të drejtat themelore të njeriut, ku një ndër të drejtat bazë është edhe e drejta për të votuar/zgjedhur ndërmjet disa kandidatëve alternative.

Formula që propozon Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar për riformatimin e KQZ-së, është një formulë e re bashkëkohore, që përdoret me shumë sukses edhe në shumë vende demokratike dhe që garanton ruajtjen e balancave dhe ekuilibrave, duke garantuar një vendimmarrje jo-politike por ligjore, në shërbim të një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe sipas standarteve ndërkombëtare.

Riformatimi i KQZ-së është i panegociueshëm për PD-në dhe opozitën e bashkuar. Nëse Rilindja vazhdon qëndrimin e saj për mbrojtjen e KQZ-së aktuale me qëllim manipulimin e zgjedhjeve të radhës, atëherë do të duhet ndërhyrja e partnerëve tanë strategjikë si SHBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar, si garant të marrëveshjes për Reformën Zgjedhore dhe riformatimin e KQZ-së. Gjithsesi në çdo rrethanë bllokuese nga Rilindja, opozita ruan të drejtën e saj për t’iu adresuar popullit, qytetarëve shqiptarë, për të marrë fatet në duart e veta nëpërmjet protestave dhe manifestimeve masive për të garantuar rrotacionin politik nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Leave A Reply

Your email address will not be published.