Rilindja e çoi PS në një ekstrem të djathtë. Oligarkët fitojnë miliarda, elektorati i majtë varfërohet

0 423

Nga: Dr.Arben Braçe

Kur Edi Rama në vitin 2009, hodhi idenë “përtej të majtës dhe të djathtës” duke iu referuar të admiruarit prej tij Tony Blair dhe se ai ishte plotësisht i gatshëm që: “të mos mbante me domosdo një politikë joefikase, vetëm e vetëm se ajo ishte e majtë dhe se ai nuk do të refuzonte domosdo një politikë efikase, vetëm e vetëm se ajo ishte e djathtë. Kur flitej për interesat e vendit, për interesat e njerzve, shkohet përtej kufijve të partive, nuk bëhet fjalë për të shkuar majtas apo djathtas, por bëhet fjalë për t’u ngjitur lart, apo ta lesh vendin dhe njerëzit të zhyten më poshtë, …duke përsëritur shpesh, se ai ishte për një politikë të re, kundër politikës së vjetër”:

Kështu thuhej në atë kohë dhe ishin të paktë ata që nuhatnin se çfarë domethenieje kishte kjo tezë dhe se ku donte të dilte Rama me këtë platformë. Pas një retrospektive prej dy mandatesh, prej pothuaj 8-vitesh në krye të qeverisjes, nuk gjendemi aspak përballë retorikës boshe dhe tymnajës abstrakto-teorike të quajtur “përtej të majtës dhe të djathtës” por gjendemi pikërisht aty ku interesat konvergojnë vetëm me majën e qeverisë, e cila ushqehet në mënyrë permanente nga një grup i vogël oligarkësh që ndajnë interesa me të dhe askush, që i përket elektoratit të majtë nuk mund ta gjejë veten të përfaqësuar. Në kushtet në të cilat ndodhemi, kur kreu i qeverisë është lëshuar në fushatë për mandatin e tretë, është e vlefshme të dihet prej votuesve të së majtës, në mënyrë që të jenë të ndërgjegjshëm, se ku do të shkojë vota e tyre dhe se sa kjo votë do të konvertohet në interesa për të adhmen e tyre dhe trashgimtarëve.

Që në fillimet e saj rruga e ndjekur nga “Rilindja” ishte një platformë klasike pragmatiste që përdori politikën si arithmetikë, që përgatiti kushtet për fokusimin e të gjithë të ardhurave në një grusht njerzish, që qëndronin pranë qeverisë dhe që nuk kishin asnjë lidhje me programin e Partisë Socialiste. Eksperienca vinte e konsoliduar gjatë viteve të gjata qeverisëse në Bashkinë e Tiranës, ku kryetari i stazhionuar u futi këmbët në një këpucë bosëve më të mëdhenj të ndërtimit, prej të cilëve vinte mbivlera e pastër. Mbas rrëmbimit të kreut të PS-së, menjëherë u ndryshua dhe kursi i drejtimit të platformës ideologjike dhe tashmë kemi një parti, që del para zgjedhësve të majtë, me një platformë ideologjike ku e gjejnë veten të përfaqësuar vetëm një grusht njerëzish të superpasuruar, që qëndrojnë shumë pranë qeverisë dhe llogjikisht kërkimi i votës për mandatin e tretë tashmë rezulton të përfaqësojë, vëtëm interesat e një personi, të atij që qëndron në krye, vetë Kryeministrit të gjithëpushtetshëm Rama.

Elektorati shqiptar, i pamësuar akoma me votimin për alternativën që i përshtatet, padyshim që edhe këtë radhë do të shkojë të votojë për partinë ku ka milituar, që i ka dhënë fjalën, apo për atë që do ta paguajë më mirë dhe çdo herë dhe më shumë do të braktisë interesat e tij. E majta shqiptare e përfaqësuar nga “rilindja” ndodhet në krizën më të rëndë të identitetit të kohës pas ndryshimeve demokratike. Ajo ka rrëshqitur në ekstremin e djathtë pikërisht në të kundërtën e ekstremit në të cilën rrëshkiti partia mëmë, ajo majtiste-komuniste, mbi të cilën rëndojnë mbi shpinë me qindra krime makabre dhe dëme të pamatshme social ekonomike. Sikurse votat për dy mandatet e parë, çdo votë për “rilindjen” shkon për llogari të një numri shumë të kufizuar biznesmenësh të mëdhenj të cilët kanë në duar gjithë ekonominë e vendit. Kjo është e shprehur saktësisht në të gjithë statistikat ekonomike të faktorit ndërkombëtar, ato të Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe për çdo vëzhgim empirik bërë karshi shtresave sociale të mesme, por edhe të varfëra, të papunëve, pensionistëve, standarti i të cilëve po shënon rënie të përditshme. Të vetmet diagrama të rritjes, janë ato që i përkasin një grusht njerëzish, që njihen me emrin famëkeq oligarkë, që qëndrojnë pranë qeverisë dhe që kanë akses në projektet e mëdha qeverisëse si dhe në PPP e shumta, të cilat janë modeli qeverisës i mazhorancës.

Refruar aktualitetit politik të sotëm, anembanë botës, ka një sërë agumentash gjithnjë e në rritje, që të bëjnë të mendosh, se po i vjen fund sistemit të madh bipolar “e majtë e djathtë” të renditjes sipas këtyre kategorive, me të cilat politika e shekujve të kaluar, ndante “mikun nga armiku” në një diagramë të qartë. Një ide kjo e huazuar edhe prej mentorit të Tony Blair, ish-këshilltarit të tij, sociologut të mirënjohur, Anthony Giddens e cila prej kohësh kishte bërë vend edhe tek disa parti liberale të lindjes, të cilat edhe pse vetëquheshin “të djathta” hidhnin idenë se programi i tyre politik ishte një përzirje komponentësh “të djathtë” dhe “të majtë” dhe se kjo nuk përbënte eklektizëm. Ideja e hedhur për shkëputjen prej këtij bipolarizimi nga shefi i ”rilindjes” vinte në një kohë kur Partia Socialiste, akoma nuk kishte kërkuar ndjesë, për krimet e kryera nga komunizmi dhe kur në radhët e saj, përsëri merrnin pjesë shumë prej militantëve të orëve të para të së majtës komuniste antidemokratike dhe ku pjesëmarja e bandave, provokatorëve dhe histeria kolektive me krijimin artificial të armikut, i përngjante kohës së dikurshme të enverizmit të pareformuar si një makth i rishfaqur.

Në këto kushte, kur partia që trashëgoi Rama kishte një raport makiavelik me demokracinë dhe strukturat e PS-së ishin shndërruar në një pushtet fosil djathtist-konservator që kishte privatizuar një pjesë të mirë të ekonomisë kombëtare, shkëputja nga polarizimi kishte shtratin më të papërshtatshëm për t’u bërë realitet. Teorikisht janë katër çifte kategorish përgjatë të cilave dikotomia “e majtë e djathtë” ka qënë e ngjizur dhe e interpretuar : “socializëm-kapitalizëm, “demokraci-diktaturë” “komb-universalizëm ose kozmopolitizëm” dhe së fundmi “konservatore-progresiste”. Nga një vështrim analitik i ditëve të sotme, na tregon se, asnjë nga tre binomet e para nuk mund ta mbulojnë plotësish shtrirjen e binomit “e majtë-e djathtë” sepse shpesh ato përplasen mes tyre dhe disa prej tyre tashmë e kanë humbur fuqinë dalluese dhe shpjeguese që kanë patur. Gjithsesi, politika e djathtë ka pasur gjithmonë lidhje të qarta me ideologjinë e kombit, por socializmi fashist dhe ai nazist u bënë të djathtë në kundërvënie me internacionalizmin proletar, duke i ngjitur socializmit të vet cilësimin “nacional”.

Edhe Milosheviçi ka luajtur me idenë e një koalicioni të të gjitha kombeve, ku mbizotëronte krishtrimi ortodoks i lindjes, duke e bërë të vështirë që të përcaktohej qartë në se ky ishte një propozim i një udhëheqësi komunist serb të majtë, apo i një demagogu nacionalist panserb, i cili në këtë kuptim është i djathtë, apo në se kjo është një përzierje e të dyjave. Po kështu edhe kundërvënia “demokraci-diktaturë” nuk mund të shërbejë më si bazë për dallimin “e majtë-e djathtë” sepse nuk ka term të përkundërt dhe se internacionalizmi tashmë ka vdekur. Pavarësisht shembujve të shumtë të braktisjes së këtyre kategorive, në kohën moderne, arësyeja më e fortë dhe më gjithëpërfshirëse për ta braktisur binomin “e majtë-e djathë” mund të përcaktohet më bindshëm nga filozofia dhe jo nga politika, që ka të bëjë me fshirjen e termit “progres botëror”nga fjalori i aktorëve veprues politikë.

Të gjitha rrymat e politikës moderne të shekullit që kaloi që quheshin “të majta” kanë qënë “progresive “ sepse kishin të përbashkët vizionin e progresit botëror në kuptimin që dinamika e tij ka një synim të paracaktuar -fundin e Historisë ku do të zgjidheshin të gjithë enigmat, një term ky, që përdorej edhe kur në udhëheqje të partisë qëndronte F.Nano. Ky term anashkalonte kërkesën politike kryesore të demokracisë si “kohë e tashme absolute” dhe prandaj “progresi botëror” ka kohë që është hequr nga rendi politik i ditës, çka sjell një dobësim tërësor, të dihotomisë “e majtë-e djathtë” dhe të peshës së saj, në organizimin e politikës. Gjithsesi, huazimi i këtij termi “përtej të majtës dhe të djathtës” nga Rama, nuk ka të bëjë fare as me peshën e këtyre kategorive, as edhe me ndonjë ide me të ardhme për të vendosur mbi baza të sakta programin e partisë. Koha që jetuam vërteton se me bindje të qarta “rilindja e çoi partinë socialiste në një ekstrem të djathtë në një olgarki pushtetare ku pushteti dhe të ardhurat i takojnë një grushti njerzit dhe elektorati i majtë gjendet i braktisur dhe i papërfaqësuar.

Se në cilën anë duhet të votojnë votuesit e majtë këtë radhë, nuk marr përsipër të pohoj, me anë të këtij shkrimi të thjeshtë, por një gjë është kryesore, që PS prej vitesh tashmë ndodhet në duart e një grusht njerëzish që për interesat e tyre varfërojnë çdo ditë dhe më shumë shqiptarët dhe i kanë hedhur të gjejnë fatin në rrugët e botës. Sot vendet e Europës Lindore dhe Qendrore, në komunitetin ku bëjmë pjesë edhe ne, e kanë gjetur fatin e tyre në teoritë normative të demokracisë liberale, kryesisht në teorinë e Roullsit mbi drejtësinë dhe teorinë e Habermasit mbi komunikimin racional dhe ligjërimin e çliruar nga vullneti për të studiuar, mos ndoshta me dashje e kemi zgjedhur këtë drejtim të gabuar…

Leave A Reply

Your email address will not be published.