Rrëfehet i penduari i Ndrangheta: Trafikantët shqiptarë i mbronte një ministër

0 46

Antonio Guastalegname, i penduari i mafies kalabreze Ndrangheta, ka rrëfyer ngjarje mbi rrjetin e trafikut të drogës nga Brazili e Shqipëria drejt Italisë, duke përmendur dhe një ministër shqiptar të përfshirë.

54-vjeçari, i arrestuar i ka rrëfyer prokurorit italian Antonio Di Bernardo për kontaktet që ka patur me bosët mafiozë të Ndranghetas.

Në dëshminë e tij të zbardhur nga mediat italiane Guastalegname ka rrëfyer ndër të tjera se trafikantët shqiptarë me të cilët ka bashkëpunuar, kishin mbështetje nga një “ministër shqiptar ose në çdo rast një figurë e rëndësishme politike shqiptare”. Një lidhje që bashkëpunëtori i drejtësisë thotë se kishte mësuar nga një person i quajtur Robert Lazaj në një udhëtim Firence-Bolonjë.

“Më propozoi ta shisja direkt pa ndërmjetës drogën e tyre në stadiumet e Piemonte dhe për të më joshur nënvizoi lehtësinë me të cilën ata mund të organizonin importe duke u mbështetur në ‘mbrojtjen e qeverisë shqiptare”, në sajë të së cilës ata mund të trajtonin dërgesa të mëdha pa frikën e kontrolleve”-thotë ai.

Guastalegname e njeh Lazajn në foton që autoritetet italiane i treguan.“Konfirmoj se ky është personi të cilit i referohesha dhe është i afërmi i ministrit të qeverisë shqiptare që ka siguruar mbulimin e këtyre trafiqeve”, shprehet ai.

Ndërkohë, Robert Lazaj është vënë në prangat e policisë italiane në vitin 2019, kur Prokuroria Antimafia e Firences kreu një operacion të madh për të zbatuar urdhrat e ndalimit të firmosur në gjykata për 7 shqiptarë dhe 2 italianë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.