Rrëfimi i shokëve të Klodianit, ngushëllimi i ministrit Lleshaj dhe heshtja e Ramës

0 361

Familjarë, të afërm, miq, të njohur e të panjohur i dhanë sot lamtumirën 25-vjeçarit Klodian Rasha, i vrarë mëngjesin e së martës nga efektivi i forcës Shqiponja. Teksa dhimbja i ka kapluar, shokët e 25-vjeçarit e përshkruajnë atë si njeri shumë të qetë dhe tregojnë se kurrë nuk ka pasur armë. Për mediat njëri prej tyre, thotë se Klodiani ka qenë me ta deri në orën 11:00, dhe në orën që është përballur me policinë ka dalë për të blerë cigare në një kioskë që rri hapur 24 orë në “Don Bosko”.

“Unë jam shoku i Klodianit. E kemi pasur 20 vjet shok. Ka qenë njeri që ka gëzuar respektin çdo njeriu që e ka takuar të paktën një herë në jetë dhe natën që ka ndodhur ngjarja Klodiani ka qenë me ne deri në orën 11:00 të natës. Dhe aq sa jam unë tani i armatosur ka qenë edhe Klodiani. Nuk ka pasur kurrë armë në jetën e tij. Familja e di më mirë që ai as në shtëpi, as në lagje kurrë në jetën e tij nuk ka pasur armë. Nuk ka qenë njeri që mund të cilësohej me rrezikshmëri. Ai ka dalë jashtë orës për të blerë cigare në një kioskë që rri 24 orë hapur, tek ”Don Bosko”. Nuk ka qenë person me rrezikshmëri. Ka qenë natyrë shumë e qetë, i respektonte njerëzit”, thotë Orjon Mulgeci.

I riu e konsideron të paligjshëm veprimin e policisë, ndërsa thekson se për ngjarjen janë dhënë versionin të ndryshme. Ai thotë se Klodiani nuk kishte probleme serioze me shëndetin dhe se ishte normal. ”Si çdo njeri që mund të merrte ilaçe për diçka të vogël, nuk kishte gjë serioze. Ishte njeri shumë normal. Ne nuk jemi thirrur për të bërë deklaratë. Ne jemi të partë që do të protestojmë”, thotë ai.

24 orë nga ngjarja, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj teksa ka shprehur ngushëllimet, nuk ka dhënë asnjë reagim mbi përgjegjësitë. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat konstatoi se efektivi i policisë ka thyer ligjin për përdorimin e armëve. Veprimi i tij duke qëlluar me pistolete në kokë dhe shpatull 25 vjeçarin nuk ka qenë në proporcion me rrezikun që ka pasur. Kurse kryeministri Edi Rama ndodhet në Amerikë për të gjetur vaksinën, por dje u fotografua në një qendër tregtare dhe asnjë fjalë nuk ka shkruar për 25-vjeçarin.

Leave A Reply

Your email address will not be published.