Rrëzimi i gjyqtares që nxorri nga burgu ”të fortët”, SPAK e kapi mat në pazarin e fundit

0 299

Mëngjesin e kësaj të enjte, lajmi i parë që qarkulloi në media e që vijon të jetë, është prangosja e gjyqtares së njohur nga opinioni publik për lirimet e bujshme nga burgu të të fortëve. Enkelejda Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Krujës ra në pranga me kërkesë të SPAK-ut. Po pse sot? SPAK e kapi mat në pazarin e fundit dhe e arrestoi në zyrën e saj në Gjykatën e Krujës. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, thotë se kishte nisur një hetim për këtë gjyqtare, ”ku u grumbulluan prova të nevojshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë”.

Pra gjyqtarja së bashku me zyrtarë të tjerë që tashmë edhe ata janë të prangosur, prej muajsh po planifikonin që të nxirrnin nga burgu një tjetër të dënuar për vrasje. Pas arrestimit të gjyqtares e cila ka liruar nga burgu disa të fortë të dënuar për vrasje, mësohet se sëbashkë me avokatin e Shullazit dhe 8 persona të tjerë, do të lironin nga burgu i Fushë-Krujës të dënuarin Saimir Petanin.

Hoxha së bashku me avokatin Aldo Tabaku, kishin marrë një shumë të konsiderueshme për lirimin e të dënuarit për vrasje, Saimir Petani. Kompjuterat personale dhe të gjitha dokumetet e saj janë marrë në sekuestrim nga ana e SPAK-ut. Tashmë gjyqtarja do të përballet me akuzat e korrupsioni, shpërdorimit të detyrës dhe ndikimit të funksionarëve publikë.

I ”forti” që dogji gjyqtaren Hoxha

Saimir Petani është i dënuari për vrasje, që aktualisht po vuan dënimin në burgun e Fushë-Krujës dhe kërkoi të merrte lirinë përmes ndikimit të gjyqtares Enkelejda Hoxha. Petani bashkë me disa persona të tjerë të cilët janë arrestuar nga SPAK, si pjesë e skemës korruptive në drejtësi, kanë kërkuar me çdo çmim lirimin nga burgu. Ai rezulton se është i dënuar 25 vite burg për vrasje dhe ishte ekstraduar nga Italia vetëm në maj të 2020-tës, për të vuajtur dënimin në burgun e Fushë-Krujës.

Prokurori i çështjes

Prokurori i cili çoi në pranga gjyqtaren Enkelejda Hoxha dhe zyrtarë të tjerë në Gjykatën e Krujës, mësohet se është Altin Dumani. 46-vjeçare vjen nga radhët e Prokurorisë së Apelit. Ai ka lindur në Shupenzë të Dibrës, dhe njihet si “prokurori i pakompromis”. Ai është një nga prokurorët që drejtoi i pari njësinë Task-Forcë, ngritur vite më parë për të luftuar krimin e jakave të bardha. Ka një karrierë prej 20 vitesh si prokuror, në mars të vitit 1999, ka shkelur për herë të parë në prokurori, me detyrë në Sarandë, ndërsa sot është kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda. Dumani u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post sipas Dumanit që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të çështjeve problematike atje.

Njoftimi i plotë nga SPAK

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar kryesisht procedimin penal nr.102/2 të vitit 2020, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, si edhe “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, etj., parashikuar nga nenet 245/1, 319/ç, të Kodit Penal.

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal nga policia gjyqësore e Drejtorisë Përgjithshme të Policisë së Shtetit nën drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi, të kombinuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit. Nga ky hetim disamujor u grumbulluan prova të nevojshme të cilat krijuan dyshimin e arsyeshëm se jemi para veprave penale të korrupsionit në sistemin e drejtësisë, si dhe në atë të shëndetësisë.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin nr.14 datë 10.02.2021 ka caktuar masat e sigurimit arrest në burg për shtetasit:

Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;

Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.

Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;

Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko-ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;

Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyëqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;

Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.

Leave A Reply

Your email address will not be published.