Rriten viktimat dhe rastet e reja, Cami: Maskat kudo ku ambienti është i mbyllur

0 327

Covid-19 vijon që të marrë fatkeqësisht jetë njerëzish në vendin tonë. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, betejën në 24 orët e fundit nuk e kanë fituar katër pacientë të prekur nga virusi vdekjeprurës. Mirela Cami nga Ministria e Shëndetësisë, tha se ”Në 24 orët e fundit, me gjithë përpjekjet e mjekëve, fatkeqësisht e kanë humbur betejën me Covid-19, një 65-vjeçar nga Vlora dhe 3 qytetarë nga Tirana: një 59-vjeçar, një 75-vjeçar, një 76-vjeçar, me sëmundje bashkëshoqëruese”.

Nga ana tjetër, ajo informoi se në 24 orët e fundit janë kryer 820 testime dhe janë konfirmuar 127 të prekur me virusin vdekjeprurës në këto bashki: 75 raste në Tiranë, 8 në Korçë, nga 5 raste në Fier, Gramsh, nga 4 raste në Lushnje, Berat, nga 3 raste në Shkodër, Kavajë, Mirditë, nga 2 raste në Krujë, Elbasan, Gjirokastër, Kuçovë, nga 1 rast në Durrës, Devoll, Has, Vlorë, Pukë, Librazhd, Dibër, Roskovec, Patos.

Lajmi i mirë është se në 24 orët e fundit 103 qytetarë e kanë fituar betejën me Covid-19, duke e çuar numrin e të shëruarve në 7732 që nga fillimi i epidemisë. Aktualisht në spitalin Infektiv dhe “Shefqet Ndroqi” po trajtohen 190 pacientë, 16 në terapi intensive nga të cilët vetëm 5 pacientë janë të intubuar.

Në emër të Ministirsë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ajo i’u drejtua qytetarëve dhe bizneseve që të jenë të kujdesshëm në zbatimin e rregullave të higjienës, distancimit dhe vendosjes së maskës. ”Maskat një domosdoshmëri për t’u mbajtur kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh. Kujtojmë edhe një herë se çdo rast i identifikuar pozitiv, duhet të vetëizolohet dhe se shkelja e rregullave nga kushdo do të konsiderohet rrezik për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Në çdo rast kur keni shenja të sëmundjes telefononi në numrin unik të Urgjencës Kombëtare 127. Telefononi në linjën e gjelbër falas 0800 40 40 për t’u lidhur me mjekun e familjes, të merrni këshillim psikologjik si dhe të informoheni saktë mbi COVID-19”,- tha më tej Cami në deklaratën për shtyp.

Kurse situata në rrethe është kjo. Tre infermierë dhe dy mjekë të qendrës shëndetësore të lagjes Skëndërbej në Elbasan, janë konfirmuar me Covid-19. Pas daljes së përgjigjjes së tamponit ata janë vetëkarantinuar në shtëpitë e tyre. Personeli i vetëkarantinuar është zëvendësuar me personel tjetër dhe shërbimi vazhdon normalisht në qendrën shëndetësore të lagjes Skënderbej.

COVID-19 – Statistika (29 Shtator 2020)

Testime totale 87198
Raste pozitive 13518
Raste të shëruara 7732
Raste Aktive 5402
Humbje jete 384
(Qarku Tiranë 183, Durrës 46, Shkodër 40, Elbasan 26, Fier 22, Korçë 19, Lezhë 16, Kukës 10, Dibër 8, Vlorë 8, Gjirokastër 4, Berat 2).

Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:

Tiranë 2658
Durrës 594
Shkodër 395
Elbasan 309
Lezhë 308
Korçë 255
Fier 243
Vlorë 197
Kukës 150
Berat 111
Dibër 107
Gjirokastër 75

Leave A Reply

Your email address will not be published.