Rritja e çmimeve, Autoriteti i Konkurrencës hap hetim për tregun e karburanteve

0 139

Autoriteti i Konkurrencës ka hapur një hetim paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve. Sipas këtij institucioni, shkak është bërë rritja e çmimeve të nënprodukteve të naftës duke filluar nga muaji shkurt. Tregu i shitjes me shumicë përfshin ndërmarrjet importuese të karburantit të llojit naftë dhe benzinë, si dhe ato që e blejnë me shumicë në tregun e brendshëm.

Ky institucion shprehet se rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës është reflektuar në të gjithë tregun e shitjes me pakicë dhe për pasojë duke rezultuar në çmime përgjithësisht më të larta për konsumatorin fundor. AK ka nisur një monitorim të tregut gjatë muajit shkurt, për të vlerësuar tendencat e çmimeve të karburanteve diesel dhe benzinë, pranë ndërmarrjeve të cilat operojnë në tregun e tregtimit me pakicë të karburanteve.

Nga deklaratat e marra gjatë monitorimit, u konstatua se në muajt e fundit ka patur një rritje

periodike të vazhdueshme të çmimit të karburantit. Në periudhën e monitorimit, çmimet arrinin deri në 194 lekë për litër dhe vendimi i AK është marrë në fund të muajit shkurt; por gjatë muajit mars çmimet kanë nisur një tjetër rritje galopante dhe kanë prekur çmime rekord të të gjitha kohërave. Në mesin e kësaj jave, çmimi i karburantit diesel dhe benzinë ka arritur deri pranë kufijve të 300 lekëve për litër.

Tregtarët e mëdhenj e argumentojnë këtë shtrenjtim me rritjen e fortë të çmimit të karburanteve në tregjet botërore. Lënda e parë, nafta bruto, tregtohet aktualisht me pothuajse 130 dollarë amerikanë për fuçi. Lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë i kanë dhënë një goditje të mëtejshme çmimeve që kishin nisur prej muajsh një rritje të ndjeshme, për shkak të kërkesës më të lartë dhe vendimit të prodhuesve të mëdhenj për të mos shtuar sasitë e hedhura në treg.

“Çmimet nga pikat e shumicës dalin çdo ditë me bursën korrente dhe marrin rritje graduale, të koordinuar me rezervat që ka gjendje në pikat e karburantit me furnizimin e ri, por fatkeqësisht rritja e çmimeve në bursë javën e fundit ka qenë galopante. Sqarojmë se rezervat tremujore që mbahen sipas ligjit janë gjithnjë në depo fizikisht, por çmimi kurrë nuk mund të mbyllet ose fiksohet vetëm në ditën që hidhet në treg për konsum,” thuhet në deklaratën e Shoqatës së Hidrokarbureve.

Deklaratat e mësipërme shtron argumentin se çmimi i shitjes me shumicë rritet duke ndjekur bursën, me qëllimin për të reflektuar atë që pritet të jetë kostoja e vlerësuar e blerjes së furnizimeve të reja dhe e mbajtjes së pandryshuar të rezervës tremujore. Nëse mbështetemi te ky interpretim, atëherë sasitë e importuara më parë po shiten me një marzh shumë më të madh, duke reflektuar konjukturën aktuale, që është krijuar sidomos pas shpërthimit të luftës në Ukrainë.

Autoriteti i Konkurrencës kishte mbyllur një hetim të thelluar në tregun e karburanteve vetëm në dhjetor të vitit të kaluar. Hetimi në tregun e ngarkim-shkarkimit, importit, depozitimit, shitjes me shumicë të karburanteve përfshiu periudhën kohore nga 1 Janari 2017 deri në 30 Tetor 2020 dhe nuk evidentoi shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”. Sipas Autoritetit të Konkurrencës, në tregun e importit të karburanteve operojnë një numër i konsiderueshëm dhe treguesi i përqendrimit të tregut (indeksi HHI) ka ardhur në rënie gjatë periudhës hetimore.

Megjithatë, në kushtet e reja që janë krijuar në fillim të këtij viti, AK ka gjetur indicie të reja që krijojnë dyshime për marrëveshje të ndaluara, në shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.