Rritja e numrit të mjekëve të prekur nga Covid-19/ PD: Qeveria nuk u siguroi as masat mbrojtëse

0 393

Partia Demokratike përmes mjekes Mirela Tabaku, akuzon qeverinë se nuk e ka meaxhuar siç duhet situatën dhe rritja e personelit të infektuar me Covid-19 në QSUT, është shqetësuese. Sipas PD, kjo ka ndodhur pasi mjekët e spitalit nuk janë pajisur me mjetet e duhura mbrojtëse. ”Nga 100 të prekur nga virusi në qendrat e punës, kryesisht në QSUT, pjesa më e madhe janë infektuar në këto javët e fundit. Ne mendojmë se ka disa arsye përse situata po përkeqësohet dhe përse spitalet janë kthyer në vatrat më të mëdha të infeksionit. Për këtë fajtorë nuk janë qytetarët, siç propagandon kryeministri, por vetë qeveria e tij”.

Deklarata e plotë

Në emër të PD, më lejoni të bëj një falenderim për të gjithë mjekët, personelin ndihmës mjekësor dhe jo mjekësor për përkushtimin e jashtëzakonshëm në këtë periudhë të jashtëzakonshme. Në çdo prononcim publik, Partia Demokratike ka patur në vemendje mbrojtjen e personelit mjekësor, për të ruajtur jo vetëm shëndetin e tyre, por edhe të qytetarëve.

Shifrat e ditëve të fundit për një shtim të ndjeshëm të numrit te infektimit të personelit në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë janë shumë shqetësuese. Kthimi i shërbimeve spitalore nga qendra trajtuese mjekuese në burim infektimi mbarëkombëtar, është tregues, më shumë se gjithçka, i keqmenaxhimit të situatës.

Dështimi për të mbajtur nën kontroll situatën në spitale ka pasoja direkte për shëndetin e qytetarëve. Mungesa e detyruar për një kohë të caktuar e personelit të infektuar do të reflektohet në cilësinë e shërbimit ndaj pacientëve. Disa shërbime në QSUT mund të mbyllen, që do të thotë se shume prej mjekëve tanë të nderuar të mos ofrojnë dot kujdesin dhe ekspertizën e tyre.

Infektimi i personelit në shërbimet e QSUT-së, për shkak se qeveria nuk ka siguruar masat e duhura mbrojtëse për ta, do të thotë të rëndosh seriozisht gjendjen shëndetësore delikate të pacientëve të shtruar. Është e pafalshme që kjo situatë të ndodhë në QSUT në këtë stad të epidemisë, si nga pikëpamja menaxheriale, ashtu edhe nga ajo shkencore. Nëse do të ishin marrë mësimet e duhura nga eksperienca e vëndeve të tjera, ku infektimi i personelit ka ndodhur në fillimet e epidemisë, jo 3 muaj pas siç po ndodh tek ne, Shqipëria nuk do të paraqitej me një numër kaq të lartë personeli mjekësor të infektuar.

Nga 100 të prekur nga virusi në qendrat e punës, kryesisht në QSUT, pjesa më e madhe janë infektuar në këto javët e fundit. Ne mendojmë se ka disa arsye përse situata po përkeqësohet dhe përse spitalet janë kthyer në vatrat më të mëdha të infeksionit. Për këtë fajtorë nuk janë qytetarët, siç propagandon kryeministri, por vetë qeveria e tij.

Testimet virologjike te personelit nuk po bëhen ne menyre periodik. Mjetet mbrojtëse nuk janë në sasinë dhe cilësinë e duhur. Mungojnë edhe testimet virologjike apo serologjike për pacientët e shtruar. Sensibilizimi i qytetarëve nuk është bërë siç duhet. Është injoruar zëri i ekspertëve dhe zëri konstruktiv i opozitës. Rritja e numrit të rasteve me COVID përmes qendrave spitalore është përgjegjësi direkte e qeverisë.

Në vend që kryeministri të bëjë fajtorë qytetarët dhe t’i kërcënojë me kthimin e karantinës, ai duhet të heqë dorë nga propaganda me facebook, të gjejë një ministre tjetër që ka prioritet shëndetin e qytetarëve, jo karrigen e vet, dhe të marrë masa urgjente që spitalet të mos jenë vatra infeksioni për qytetarët.

Leave A Reply

Your email address will not be published.