Rritja e rasteve me Covid19/ Presidenti Meta takim me Manastirliun: Strategjia ka nevojë për bashkëpunim

0 314

Presidenti Ilir Meta ka takuar ditën e sotme ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu me të cilën ka diskutuar lidhur me përballimin e pandemisë së koronavirusit. Kreu i shtetit, i cili shprehu shqetësimin lidhur me menaxhimin e situatës disa ditë më parë, u informua nga ministrja se janë marrë masat për sigurimin e mjeteve të mbrojtjes personale, rritjen e kapaciteteve të testimeve, kapaciteteve spitalore dhe burimeve njerëzore.

“Strategjia që po ndjekim ka nevojë për bashkëpunimin e qytetarëve për të përballuar situatën e shkaktuar si pasojë e Covid-19. Vetëm nëpërmjet zbatimit të masave dhe protokolleve, nëpërmjet shembullit personal, do të mundemi t’ia dalim së bashku, edhe në këtë fazë të pandemisë”.

Meta gjatë fjalës së tij në takim nënvizoi nevojën e forcimit të bashkëpunimit të ngushtë me të gjitha vendet fqinje për marrjen e masave për parandalimin dhe përhapjen e pandemisë së Covid-19. Një bashkëpunim i tillë sipas Metës, do të bëntë të mundur rihapjen sa më parë të kufijve tokësorë.

Takimi me ministren u kërkua disa ditë më parë nga presidenti, menjëherë pasi në vend ndërroi jetë edhe mjeku i dytë për shkak të pandemisë. Meta u shpreh se qeveria duhet të hartonte një strategji të re për të përballuar numrin e të infektuarve dhe shifrat e personave që kanë humbur jetën deri më tani. Kohët e fundit, që prej lirimit të masave pas karantinës, numri i personave të prekur në vend nga koronavirusi është rritur ndjeshëm. Po ashtu edhe numri i personave që kanë ndërruar jetë. Sot numri i të vdekurve ka shkuar në 81.

Leave A Reply

Your email address will not be published.