Rrugëtimi fetar drejt vetëvrasjes. Familja Josifi hetohet për…

0 344

Vetëflijimi i familjes Josifi është një nga temat më të debatueshme në ekranet televiziv të vendit dhe tek bisedat e qytetarëve. Për këtë ngjarje të frikshme kanë nisur edhe hetimet. Prokuroria e Tiranës dhe Policia e Shtetit, janë fokusuar tek rrugëtimi fetar i familjes Josifi, gjë që sipas hetuesve do të ndihmojë në zbardhjen e vetëvrasjes tragjike të nënës me të bijën. Kjo ngjarje horror ka bërë që të hetohen të gjitha lëvizjet e kësaj familjeje për të mësuar se kush fshihet pas predikimeve për vetëflijimet. Familja Josifi ishte bashkuar më herët me Dëshmitarët e Jehovait prej shumë vitesh. Kjo e pranuar nga familjarët e tyre, por ky sekt e hodhi poshtë duke thënë se nuk e njohin familjen Josifi.

Më pas Zhaneta, Anisa dhe Blerta mësohet se janë bashkuar në një sekt tjetër kishtar. Mendohet se ky grup përbëhej nga disa të huaj dhe shqiptarë, por ende nuk dihet se çfarë predikonin. Pritet që ditën e hënë, Prokuroria të japë detaje në lidhje me këtë ngjarje makabre. Dyshimet e Prokurorisë janë lidhjet që mund të ketë patur familja Josifi me persona që predikojnë tek njerëzit akte ekstreme.

Grupi hetimor dhe ekspertiza theksojnë se prej disa muajsh, Anisa kishte ndërruar jetë nga mos ngrënia dhe ishte mbajtur e vdekur nga Zhaneta dhe Blerta. Kur familjarët e kërkonin Anisën, ata thonin se nuk ka ardhur momenti për ta parë. Ndërkohë që nënë e bijë, mbështillnin trupin e Anisës me çarçafë dhe përpiqeshin ta mumifikonin për të pritur ringjalljen. Në të njëjta kushte me të bijën ka ndërruar jetë edhe Zhaneta, ndërsa Blerta arriti që të mbijetonte dhe është shtruar në spitalin psiqiatrik në Tiranë. Edhe ndaj Blertës, Prokuroria ka nisur hetimet për moskallëzim krimi.

Vëllai i Zhaneta Josifit, Selam Fejzo ka deklaruar për mediet se kohët e fundit nuk kishte kontaktuar me të motrën. Ai ka treguar se disa herë që vizitoi të motrën në shtëpinë e saj në Kombinat, kjo e fundit i thoshte se Anisa po lexon. “Sa herë kemi shkuar në shtëpi, Anisa nuk dilte. Na thoshte Anisa është në shtëpi, po lexon. Po kalonte kohë që nuk po kontaktoja me motrën. Nuk na shkonte kurrë në mendje për këtë që ndodhi”.

Ngjarja e rëndë u zbulua mbrëmjen e 2 korrikut. Në pallatin parafabrikat mbrapa ish-Mapos rruga “Hamdi Cenoimeri”, dy trupat e vdekur të dy grave kanë “bashkëjetuan” për ditë me radhë me banorët e lagjes. Zhaneta Josifi, 56-vjeç dhe Anisa Josifi 30-vjeç, u gjetën të vdekura në banesë, ndërsa në gjendje të rëndë ishte edhe vajza tjetër e Zhanetës, Blerta Josifi 34-vjeç. Kjo e fundit bashkë me nënën e saj kishin mbajtur në banesë trupin e pajetë të Anisës, të cilin e lyenin me vaj e uthur që të mos binte erë.

Në banesën e tyre të thjeshtë në këtë lagje të Tiranës, policia gjeti shënime fetare, ku u mësua se nëna dhe dy vajzat kanë qenë praktikante të sektit të njohur si “Dëshmitarët e Jehovait”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.