Rrugëtimi i mundimshëm i televizorit

0 52

Ndër paraardhësit më të hershëm të televizionit është një projekt i konceptuar në 1883 nga shpikësi gjerman, Paul Gottlieb Nipkow, shkruan focus.it.

Elementi kryesor ishte një pllakë rrethore rrotulluese, e quajtur “disku Nipkow”.

Mbi të kishte vrima të vogla të vendosura në një spirale, e cila, e kryqëzuar nga një dritë që ndërvepronte me një fotocelë seleniumi, bënte të mundur skanimin e një imazhi duke e ndarë atë në shumë katrorë (që korrespondojnë me vrimat e ndryshme) të renditura në disa rreshta.

Ndryshimet në shkëlqim u përkthyen më pas në impulse elektrike dhe u transmetuan në një marrës i cili i ktheu ato në sinjale drite duke riprodhuar kështu imazhin e regjistruar në një ekran.

E gjitha kjo në teori, sepse në atë kohë nuk kishte mjete për zbatimin konkret të projektit.

Shpikjet që ndryshuan historinë

Pas 40 vitesh gjërat kishin ndryshuar dhe John Logie Baird mori përsipër idenë e Nipkow, e përsosi atë dhe në vitin 1925 i dha formë sistemit të parë televiziv, bazuar në një përzierje të komponentëve elektronikë dhe mekanikë dhe për këtë arsye u quajt “elektromekanik”.

Më 2 tetor 1925, në laboratorin e tij në Londër, ai organizoi transmetimin e parë televiziv.

Konkretisht, ai transmetoi në televizor fytyrën e djalit të tij, William Taynton, mes dy dhomave.

Fytyra e djaloshit, e ndarë në tridhjetë rreshta dhe e shfaqur në shkallë gri, dukej e deformuar dhe e paqartë, por revolucioni kishte filluar.

TV nis shpërndarjen në SHBA dhe Evropë

Pasi tregoi funksionimin e shpikjes së tij në media, në vitin 1927, Baird, duke përdorur një linjë telefonike, transmetoi një sinjal televiziv për mbi 600 kilometra, midis Londrës dhe Glasgout, ndërsa në 1928 ishte radha e transmetimit të parë transoqeanik, midis Londrës dhe Nju Jorkut (si dhe testeve të para, rudimentare me imazhe me ngjyra).

Në atë moment, kompania angleze ”Plessey” filloi të tregtojë televizionet e parë ”Baird”, ndërsa nisën eksperimentet e transmetimit të BBC-së, radiostacionit britanik që do të jetë pionier në përdorimin e mediumit televiziv.

Përdorimi i rrezeve katodike

Gjatë viteve 1930, sistemi i ”Baird” doli jashtë përdorimit, në favor të një televizioni plotësisht elektronik.

Kjo teknologji, e konsideruar thuajse magjike në atë kohë, u propozua në vitin 1927 nga amerikani Philo Farnsworth dhe bazohej në përdorimin e rrezeve katodike: rrezet e elektroneve të përqendruara në një pajisje të quajtur tub katodë, e shpikur në 1897 nga fizikani gjerman Ferdinand Braun.

Të përcjella në një sipërfaqe fotosensitive, rrezet gjeneruan imazhet.

Eksperimente të ngjashme u kryen nga Vladimir Zworykin, një inxhinier rus që emigroi në SHBA, i cili në fund të viteve 1920 do të luftonte me Farnsworth për ”atësinë” e televizorit.

Duke lënë mënjanë mosmarrëveshjet ligjore, ekranet e parë të tubave me rreze katodike u prodhuan në vitin 1934 nga kompania gjermane Telefunken, e cila i “nguliti” ato në mobilje elegante prej druri.

Gjithsesi, do të duhet të presim pasluftën që televizionet e reja të fillojnë të përhapen gjerësisht, deri në atë pikë sa të bëhen objekte të përdorimit të përditshëm.

Leave A Reply

Your email address will not be published.