“San Siro” gati për luftë, ja pesë betejat që vendosin fitimtarin

0 180

Interi-Liverpul do të jetë edhe beteja e trajnerëve. Klopi me dogmën e tij “gegenpressing” (rikuperimi i menjëhershëm i topit dhe dërgimi në zonën kundërshtare), i ka bërë të kuqtë të aftë për të depërtuar edhe përtej skuadrave të mbyllura, fale një teknike dhe një shpejtësie që në Itali nuk janë mësuar.

INTER LIVERPUL 1

Inzagi nga ana tjetër është një italian që u ka rikthyer zikaltërve lojën e bukur dhe pavarësisht filozofive të ndryshme, të dy e dinë mirë se do të jenë pesë beteja ato që do të vendosin fituesin e luftës.

SHKRINIAR – MANE – Një kundër një Sezoni i sllovakut është në nivelet më të larta, por ai ka treguar se i vuan disi sulmuesit e shpejtë, kështu që pantera Mane mund ta vendosë në vështirësi serioze. Interi duhet patjetër të evitojë përballjen një kundër një, duke i ardhur në ndihmë sllovakut si me Dumfrisin dhe me Vidalin, pasi Mane ushtron presion shumë lart dhe i adhuron duelet një kundër një. Pikërisht atëherë kur mendon se e ke markuar, senegalezi të vjedh kohën dhe shkëputet, prandaj gjithë skuadra duhet të jetë e përqendruar dhe sa më e shkurtër, për të mos lejuar asnjë hapësirë pas mbrojtësve.

BASTONI-SALAH – Kafaz për egjiptianin I njëjti diskutim qëndron edhe në krahun tjetër, aty ku Bastonit të saporikuperuar do t’i duhet të ndalojë një Salah në super formë. Edhe këtu do të jetë shumë e rëndësishme që Interi të mos humbasë asnjë top në dalje dhe mbi të gjitha të formojë një kafaz për egjiptianin me ndihmën e Çalhas dhe Perisiçit. Për nga dinamizmi dhe mënyra e vendosjes, kroati ofron garanci të madhe, por nuk mund t’i kërkohet gjatë gjithë ndeshjes të ulet deri në 20 metrat e fundit. Mo, nga ana tjetër është teknik, shumë i shpejtë dhe akoma më i fortë fizikisht. Inkursionet e tij drejt qendrës krijojnë hapësira për shokët e tij dhe goditjet me të majtën janë një ndëshkim për këdo që është përballë.

BROZOVIÇ – FABINJO – Qendra e ndeshjes Një sfidë mes regjisorësh do të jetë ajo mes të dyve. Marselo është qendra e gravitetit zikaltër, ai që vrapon për dy persona, ai që ulet deri në linjën e De Vrajit për të nisur aksionin dhe ai në këmbët e të cilit kalojnë të gjithë topat zikaltër. Por, nisur nga rëndësia që ka, një gabim në këmbët e tij dhe kundërshtari gjendet menjëherë në zonë. Për këtë motiv spastrimet e tij duhet të jenë gjithmonë perfekte, aq më tepër që presioni nuk do t’i vijë vetëm nga Fabinjo, por edhe nga Zhota. Sfida plotësohet nga Fabinjo që është mesfushori tipik modern, me shumë cilësi dhe sasi, që ka në repertor edhe sulmet ajrore. Mesfusha e kuqe është një nga ato që funksionojnë më mirë në Europë, aq më tepër me një lojë si e tyre që bazohet në futbollistët e krahut.

PERISIÇ-ARNOLD – Kush shtyn më shumë? Në korsinë e majtë të zikaltërve, aty ku Perisiç do të gjejë Arnoldin, premtohen shkëndija. 23-vjeçari anglez ka një të djathtë fantastike, shtyn skuadrën përpara si i çmendur dhe është ndër më të shpejtët edhe në hyrjet mes linjave kur duhet. Përballë do të jetë ndoshta më “anglezi” i zikaltërve, për nga pasimet dhe intensiteti. Roli i kroatit do të jetë shumë i rëndësishëm: fillimisht duhet të dublojë Bastonin për Salahun dhe të mbajë edhe Arnoldin sa më të tërhequr të jetë e mundur, gjithmonë duke pasur kujdes pas. 33-vjeçari ka edhe një tjetër avantazh ndaj “të riut”: është shumë i fortë në lojën në ajër.

XHEKO-VAN DAJK – Duel gjigantësh Ai që me kokë është një barrierë e pakalueshme është Van Dajk. Holandezi i ka dhënë Liverpulit një hov cilësie, për nga 193 centimetrat e tij dhe për nga mënyra si e udhëheq prapavijën. Xheko, ndërkohë nuk do të jetë një kafshatë e lehtë për t’u kapërdirë. 35-vjeçari jo vetëm synon zonën e rreptësisë, por tërhiqet edhe pas dhe bën regjisorin ofensiv duke krijuar hapësira, shtuar këtu edhe zotësinë e tij në golat me kokë. Një përballje titanësh në zonë që do të ndezë “San Siro”-n, por kjo nuk do të jetë hera e parë që të dy gjejnë njëri-tjetrin. Në 2018-ën, kur Xheko luante me Romën, arriti t’i shënonte në të dyja ndeshjet Van Dajkut, edhe pse në fund në finale kaloi holandezi.

Leave A Reply

Your email address will not be published.