Serbisë i hapen kufijtë, Shqipërisë jo! Të gjitha përgjigjet për udhëtimet drejt BE-së

0 11

Bashkimi Europian, pritet që të hap kufijtë por jo për të gjitha shtet, ku në listën e shteteve që nuk lejohet lëvizja është edhe Shqipëria. Korrespondeti i Euronews Albania në Bruksel, Ernest Bunguri, i jep përgjigje të gjitha pyetjeve në lidhje me udhëtimet në BE.

Kur parashikohen të hapen kufijtë?

Kufijtë e BE-së me Shqipërinë do të hapen kur situata epidemiologjike në vend të jetë e ngjashme apo e më e mirë se mesatarja e rasteve të BE-së për 100 mijë banorë dhe kjo për një periudhë dy javore. Rivlerësimi bëhet çdo dy javë. Për momentin mesatarja e BE-së është 13, ajo e Shqipërisë më shumë se dyfishi, pra 29 dhe prirja është në rritje.

Për kë i hap kufjitë BE dhe për kë jo? Ka ndonjë afat?

Ambasadorët e vendeve të BE-së u dakordësuan të premten në mbrëmje për të hapur kufijtë nga 1 korriku me vetëm 15 vende: Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Mali i Zi, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Serbia, Koreja e Jugut, Tajlanda, Tunizia, Uruguaji dhe Kina. Por dhe për këtë listë pritet konfirmimi me shkrim nga kryeqytetet brenda ditës së martë, para se të hyjë në fuqi.

Si shpjegohet që Serbisë me 31 të vdekur për 1 milion banorë i janë hapur kufijtë ndërkohë Shqipërisë me 19 jo?

Serbia dhe Mali i Zi numërojnë respektivisht 20 dhe 19 raste të reja për 100 mijë banorë, (sipas të dhënave zyrtare) nga data 12 deri në 26 qershor, po aq sa disa vende anëtare të BE-së, por më shumë se mesatarja prej 13 rastesh brenda unionit. Në vendet e tjera të Ballkanit kjo mesatare është edhe më e lartë.

Kufijtë e Shqipërisë do të rrinë të hapur për të huajt evropian? Po për zviceranët?

Kjo varet nga autoritetet shqiptare, nëse do të aplikojnë masat e reciprocitetit apo nëse do t’i lënë kufijtë hapur, si dhe me cilat vende do të vendosin t’i mbajnë hapur.

Për shtetasit me rezidencë në shtetet e BE, a lejohen udhëtimet drejt Ballkanit dhe anasjelltas?

Të gjithë zotëruesit e dokumenteve të rregullta të qëndrimit në vendet e BE-së apo në vendet e zonës Shengen, do të mund të udhëtojnë drejt Shqipërisë vetëm nëse kjo e fundit i mban kufijtë hapur dhe nëse ekzistojnë marrëveshje dhe mënyra të autorizuara udhëtimi. Kujdes, mirëinformohuni! Disa vende të BE-së nuk garantojnë mbulimin shëndetësor nëse udhëtoni në vende që konsiderohen me risk, dhe mund të aplikojnë karantinimin për ata që kthehen nga këto vende.

Kur do të hapen kufijtë me Suedinë?

Suedia është pjesë e BE-së si dhe e zonës Shengen, kufijtë e brendshëm të së cilës janë hapur që prej datës 15 qershor. Për kufijtë e jashtëm secili vend e vendos vetë nëse do të respektojë listën prej 15 shtetesh, e cila është përbën vetëm një rekomandim.

Përse BE hapi kufijtë me SHBA?

SHBA nuk bën pjesë në listën e gjelbër të BE-së pikërisht për shkak të gjendjes së rënduar epidemiologjike.

Nëse dua të iki për pushime në Gjermani për 1 javë, më lejohet?

Jo. Kufizimi i udhëtimeve jo-të domosdoshme me Shqipërinë bëhet pikërisht për të kufizuar udhëtimet për pushime apo për vizita, të cilat do të jenë të mundura vetëm pas një vendimi pozitiv për hapjen e kufijve dhe nëse mesatarja e infektimeve të reja në Shqipëri nuk e kapërcen nivelin mesatar të infektimeve në BE, sipas kritereve të lartpërmendura.

Po qytetarët norvegjezë mund të vijnë në Shqipëri për turizëm pas datës 1 korrik?

Po, nëse Shqipëria i mban hapur kufijtë për Norvegjinë, por duhet të informoheni për masat ndëshkuese që mund të marrë Norvegjia për ata udhëtarë që shkojnë apo kthehen nga vendet e konsideruara me risk.

Çfarë do të ndodhë me Maqedoninë e Veriut? A do të lejohet hyrja në shtetet e BE-së pas 1 korrikut?

Maqedonia e Veriut, njësoj si Shqipëria, nuk bën pjesë në listën e vendeve që BE do t’ju hapë kufijtë duke nisur nga 1 korriku dhe do të përfitojë në të ardhmen nga hapja vetëm nëse situata e infektimeve bëhet më e mirë apo e ngjashme me mesataren e vendeve të BE-së.

Leave A Reply

Your email address will not be published.