Shehu-Ramës: Mbyllja nuk e shpëton vendin por testimet. Je “Komiteti” real i dështimit

0 338

Vendimi i qeverisë për mbylljen e klubeve të natës dhe të muzikës live pas orës 20:00 si masë ndaj luftës të pandemisë Covid-19, për ish-ministrin e Shëndetësisë, Tritan Shehu, nuk është zgjidhje. Përmes një shkrimi në facebook, ai thotë se dikush duhet t’i thotë kryeministrit Edi Rama se për këtë nuk e kanë fajin as ”mjekët e politikës”.

Sipas Shehut, testimet masive me liberalizimin e tyre, aktivizimi i mjekut të familjes, mbrojtja, forcimi e modernizimi i institucioneve shëndetësore, janë masat që duhet të marrë qeveria dhe kjo është mënyra sesi luftohet ndaj Covid-19.

”Po lexoj që 300 mjekë të Serbisë kanë kërkuar dorëheqjen e “Komitetit” të tyre anti-covid për dështimin, pra siç duket aty diçka paska funksionuar! Ne nuk kemi pse ta kërkojmë këtë, ne duhet të kërkojmë vetëm dorëheqjen e qeverisë e të Kryeministrit se ata janë “Komiteti” real i dështimit, nuk kemi pse të kërkojmë tjetër, përveçse tashti një asistencë të gjerë ndërkombëtare, e domosdoshme kjo”.

Postimi i plotë

Rama të “kuptojë” se tragjikisht jemi kështu jo prej “hapjes”, as prej opozitës por prej dështimit te tij! Dikush prej “Komitetit” duhet të marrë guximin e t’i shpjegojë se nuk është “mbyllja”, që shpëton Shqipërinë përkundrazi, janë masat inteligjente me një menaxhim korrekt, janë testimet masive me liberalizimin e tyre, aktivizimi i mjekut të familjes, mbrojtja, forcimi e modernizimi i institucioneve shëndetësore etj!

E mbylli vendin më ashpër se Italia, Franca, Spanja etj, përfundimi sot jemi dhjetëra herë më keq, drejt katastrofës në qoftë se nuk do të ndryshojë kryekëput. Dëgjoj disa “ekspertë” që thonë si korr i Ramës se kjo është pasojë e “hapjes”, e fillimit të transportit publik, etj absurditet. Si mendojne ata, të qëndrojmë “të mbyllur”, për sa?

A e dinë ata se Italia, Franca, Spanja nuk e mbyllën asnjëherë transportin publik, se metroja e Parisit nuk u mbyll për asnjë ditë por vendosën rregulla inteligjente! Dhe sot ato vende janë krejt të hapura, me një epidemiologji nën kontroll, ndërsa ne jemi “jashtë kontrollit”, të mbyllur si dekada më parë.

Dikush duhet t’i thotë Ramës se për këtë nuk e kanë fajin as “mjekët e politikës”, shumë e thanë qartësisht mendimin, se është pikërisht ky mendim politik shëndetësor që duhej e duhet, që jo vetëm i mungon kësaj qeverie në aventurat e saj tragjike, por që nuk ka as mirëkuptimin të dëgjojë, jo me mirësjelljen të falënderojë.

Ndërkaq po lexoj që 300 mjekë të Serbisë kanë kërkuar dorëheqjen e “Komitetit” të tyre anti-covid për dështimin, pra siç duket aty diçka paska funksionuar! Ne nuk kemi pse ta kërkojmë këtë, ne duhet të kërkojmë vetëm dorëheqjen e qeverisë e të Kryeministrit se ata janë “Komiteti” real i dështimit, nuk kemi pse të kërkojmë tjetër, përveçse tashti një asistencë të gjerë ndërkombëtare, e domosdoshme kjo.

Leave A Reply

Your email address will not be published.