Shifra rekord aksidentesh, eksperti: Problem akset dytësore

0 296

Rrugët në Shqipëri janë të rrezikshme dhe burim aksidentesh. Aksidentet rrugore në muajin shtator shënuan një shifër rekord me 626 ngjarje rrugore. Eksperti i aksidenteve, Artur Sulçe thotë se këto shifra vijnë për shkak se siguria rrugore nuk është optimale dhe se shoferët kanë një sjellje agresive në rrugë. 9 muajt e parë të vitit 2020 u përmbyllën me një bilanc tragjik sa i takon ngjarjeve rrugore, ku në total janë shënuar 1451 aksidente me 135 viktima.

Në periudhën janar-shtator 2019 u shënuan 1715 aksidente ose 264 më pak, kjo shifër është tepër shqetësuese pasi për gati 3 muaj lëvizja automjeteve në rrugët e vendit ka qenë e kufizuar për shkak të pandemisë së Covid-19. Sipas Policisë Rrugore, vetëm gjatë muajit shtator u shënua një numër rekord aksidentesh, konkretisht 626 ose 10 më shumë se një vit më parë ku humbën jetën 23 qytetarë si dhe u plagosën qindra të tjerë.

Sulçe thotë se për të shmangur këto shifra alarmante duhet një bashkëveprim më i ngushtë institucional për të rritur parametrat e sigurisë. Sipas tij më problematike situata paraqitet në rrugët dytësore, ku regjistrohen më shumë aksidente ndërsa shtoi se shkak shpesh bëhet dhe sjellja agresive e shoferëve në rrugë.

”Duhet që çdo aksident rrugor të shikohet dhe të nxirret një arsye pse ndodh. Ne konstatojmë që jo gjatë ditës, por dhe në mëngjes herët ka drejtues automjetesh që janë shumë agresivë. Ky agresivitet vjen në pjesën më të madhe për shkak të mungesës së menaxhimit të trafikut. Segmentet kryesore të cilat janë më problematike në vendin tonë, janë ato rrugët interurbane dytësore, të cilat nuk janë rrugë që mund të mbajnë këtë lloj trafiku”, – shprehet Sulçe për ”Euronews”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.