Shkarkimi i Presidentit nga Kuvendi: A është prifti popull?!

0 45

Nga Artan Hoxha

Gjykata Kushtetuese po shqyrton në seancë plenare vendimin Nr. 55/2021 të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, vendim ky rrjedhojë e hetimit të dytë parlamentar mbi veprimtarinë e Presidentit, ndërmarrë fill mbas zgjedhjeve të 25 prillit 2021, në javët e fundit të aktivitetit të Kuvendit surrogato të mëparshëm.

Ai Kuvend, me atë shumicë rilindese e pakicë mbetjesh opozitare pas largimit të deputetëve të opozitës në mars 2019, ndërmori edhe nismën e parë hetimore për shkarkimin e Presidentit pasi ky nxori dekretin për anulimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019 dhe ridekretim të tyre më 13 tetor 2019.

Por ai Kuvend u vetëtërhoq pas përgjigjes që mori nga Komisioni i Venecias, i cili u shpreh se ‘këto akte të Presidentit nuk përbënin shkelje të rëndë të Kushtetutës ndaj nuk mund të shkarkohej’.

Më herët, Presidenti kishte korrur edhe dy fitore të tjera përballë shumicës rilindase në raport me Komisionin e Venecias. Njëra lidhur me formësimin e vetë Gjykatës Kushtetuese dhe tjetra lidhur me lirinë e medies. Ndaj në hetimin e dytë, Kuvendi surrogat nuk gaboi t’i drejtohej përsëri Komisionit të Venecias, por hetoi, argumentoi dhe e shkroi vetë vendimin.

Vlen të përmendet se as vetë Gjykata Kushtetuese, që Komisionit të Venecias i është drejtuar shumë shpesh e për shumë çështje, këtë radhë nuk i shtroi asnjë pyetje. Gjithashtu, shqyrtimi nga kjo gjykatë po bëhet kur Presidenti ka ngritur pretendime të forta mbi mënyrën se si ajo analizoi e konkludoi lidhur me kushtetutshmërinë e zgjedhjeve vendore 2019, e ku për njerën nga çështjet tha se ka kompetencë ta shqyrtojë, por nuk legjitimohet kërkuesi e për çështjen tjetër tha se nuk ka kompetence ta shqyrtojë, ndonëse legjitimohet kërkuesi.

Shkatërrimi me veting i Gjykatës Kushtetuese të mëparshme, që kishte dhënë prova integriteti dhe pavarësie me vendimet e marra, dhe riformësimi i saj mbi procese të tensionuara e me njëanshmëri të fortë politike, përfshire dasitë e sotme në opozitë dhe raportet e ditura të Presidentit me dy pjeset e opozitës aktuale, s’ka se si të mos kenë ndikimin të fortë në sjelljen dhe vendimet e pritshme të kësaj gjykate.

Për të krijuar një opinion të tijin, lexuesi duhet të shfletojë vetë arsyetimin e Kuvendit bashkëlidhur këtij shkrimi, faktet e të cilit janë një numër deklarimesh të Presidentit në Facebook apo Instagram, regjistrime bisedash televizive dhe disa shkresa drejtuar institucioneve të tjera të shtetit nga Presidenti.

Mbi këto fakte, mbi shembullin laj-thaj të Koresë së Jugut (që në fakt nuk bën fare si shembull se Koreja e Jugut është republikë presidenciale dhe Presidenti atje është kreu i ekzekutivit, pra qeverisë) dhe plot akrobacira në arsyetim, Kuvendi, ai i djeshmi, por edhe i sotmi, për turp e për marre, mbështet shkarkimin e Presidentit.

Raporti është i gjatë dhe analiza e plotë e tij del jashtë mundësisë së një shkrimi portali, por po ndalem në tre momente më domethënëse.

Së pari, ndërsa Kuvendi ka radhitur faktet, pra citime të deklarimeve e shkresa të Presidentit, që qartazi tregojnë qartë se Presidenti e konsideronte qeverisjen rilindëse të dëmshme, të rrezikshme, të kriminalizuar, që tentonte të manipulonte zgjedhjet, e që Presidenti hapur e qartë sugjeronte nevojen e domosdoshme të ndryshimit politik në zgjedhjet e 25 prillit. Ky Kuvend, formalisht pluralist, nuk ka bërë asnjë përpjekje të mbledhë edhe sulmet, akuzat, pengesat, sharjet dhe ofendimet, intrigat dhe sajesat, që i janë bërë Presidentit nga Rilindja në pushtet, a thua se ç’tha e ç’shkroi Presidenti erdhën pa shkak e pa ngacmim. E, nëse qenkan shkelje të rënda të Kushtetutes ato të Presidentit, ç’janë ato të kundërshtarëve të tij, nga Kryeministri e çdokush poshtë e krah tij, ndaj Presidentit? A ka qenë Presidenti anormal, siç thotë Kryeministri, apo ka qenë politika anormale këto vite?

Së dyti, Kuvendi ka konkluduar se shkeljet e Presidentit janë në fakt shkelje të betimit të tij me dorë mbi Kushtetutë. Betimi, që ka frazën “Betohem se do t’i bindem Kushtetutës…” është shkelur sepse janë shkelur nga Presidenti disa nene të Kushtetutës që citohen nominalisht. Ndërkaq, Kuvendi beson se shkelja e betimit, për nga vetë natyra, është vetiu e rëndë. Pra, sipas këtij arsyetimi, del se çdo shkelje e Kushtetutës është shkelje e betimit, pra e rëndë, për rrjedhojë çdo shkelje e Kushtetutës është shkelje e rendë. Me këtë arsyetim Kuvendi ka rrëzuar vetiu Kushtetutën, e cila shprehet se Presidenti shkarkohet për shkelje të rëndë te Kushtetutës, pra që paskërka edhe shkelje të lehta, ekzistencën e të cilave arsyetimi i Kuvendit e mohon tërësisht, duke rënë kështu ne absurd. Mjafton edhe kaq në fakt për të humbur çdo konsideratë për atë vendim e atë raport.

Së treti, sipas Kuvendit, sharjet, akuzat, e deri pozicionimi politik i Presidentit në favor të opozitës e në dëm të Qeverisë, kanë cenuar disa nene të Kushtetutes: që nga e drejta për të zgjedhur, tek politika e jashtme e marrëdhëniet me SHBA-në dhe partnerët ndërkombëtare e deri tek uniteti i popullit. Nëse këto të Presidentit, që ka çelësat e kashtës, do ishin shkelje të rënda, mendo se ç’do quheshin shkeljet e Qeverisë në zgjedhje me paratë e buxhetit, tenderat e koncensionet, lejet e licencat, inspektimet e gjobat, banditët e patronazhistët, përveçse masakër e të drejtes për të zgjedhur e për t’u zgjedhur.

Sa për partneret ndërkombëtare, për të cilët arsyetimi i Kuvendit bazohet në thënie televizive të Presidentit lidhur me biseda të tij me ambasadoren amerikane, (të pamohuara prej saj), Kuvendi arsyeton sikur tensioni e konflikti President-Ambasador i SHBA ishte për çështje ndërkombëtare a të marrëdhënieve dypaleshe (në kësi rastesh shteti tjetër bën notë a çon letër a thërret ambasadorin tonë atje, etj).

Ndërsa në fakt ishin pastër e qartë për çështje të brendshme shqiptare e, afërmendësh, kur një i huaj, qoftë edhe diplomat a zyrtar, përfshihet në çështje të brendshme, ai vetiu do trajtohet si i brendshëm e jo si i huaj, e ky në fakt është trajtimi më i favorshëm që mund t’i bëhet.

Por më i çuditshëm është arsyetimi se të shash e akuzosh politikisht Kryeministrin e qeverisjen e tij, dëmtoka unitetin e popullit. Në fakt, shqiptarët i kanë dhënë përgjigje mohuese këtij pretendimi kuvendar që kur kanë krijuar pyetjen retorike: “A është prifti (kryeministri pra) popull?”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.