Shkarkohet nga detyra prokurorja e Dibrës, Belina Zeneli

0 150

Belina Zeneli (Kryemadhi) u shkarkua nga detyra si prokurore e Dibrës. Vendimi u mor nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që miratoi kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Ishte Prokuroria e Përgjithshme që i kishte kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nisjen e procedurës së inspektimit për hetimin e shkeljeve individuale të kryera në ushtrimin e detyrës për prokuroren Belina Zeneli, pasi konstatoi “veprime të cilat mund të përbëjnë zvarritje të rëndë të veprimtarisë procedurale, si dhe shkelje të dispozitave ligjore urdhëruese të Kodit të Procedurës Penale”.

Të Enjten e 20 Janarit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dëgjoi rezultatet e hetimit disiplinor të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ndaj prokurores së Dibrës, Belina Zeneli (Kryemadhi) dhe mbrojtjen e kësaj të fundit.

Gjetjet e ILD

Përfaqësuesja e ILD-së lexoi në seancë se prokurorja Zeneli ishte gjetur nga hetimi disiplinor me shkelje të rënda të Kodit të Procedurës Penale, pasi nuk kishte ndërmarrë një sërë veprimesh hetimore dhe kishte mbajtur pezull mbi 33 çështje, statusi i të cilave ishte ende i paqartë dhe nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për mbi 300 kallëzime.

“Si pasojë e veprimeve dhe mosveprimeve të magjistrates, nuk i janë dhënë zgjidhje ligjore 33 procedimeve penale, si dhe nuk është kryer asnjë veprim verifikimi në lidhje me 300 kallëzime”, sqaroi ILD.

Përfaqësuesja e ILD-së tha që shkeljet ishin shumë të rënda dhe kërkoi që prokurorja të shkarkohej: “Veprimet dhe mosveprimet e magjistrates përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozon Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore ‘Shkarkim nga detyra’”.

Mbrojtja e prokurores

Prokurorja Zeneli i kundërshtoi gjetjet. Ajo këmbënguli se kishte punuar me devotshmëri. “Nuk jam tërhequr as në 97-ën” tha Zeneli duke iu referuar dosjeve që kishte hetuar.

Prokurorja tha se një pjesë e çështjeve për të cilat ishte hetuar kishin hetime dhe veprime të kryera prej saj. Zeneli këmbënguli se mjaft prej tyre ishin të parëndësishme dhe ishin mbajtur hapur me vendime të padrejta të eprorëve. Ajo tha se në disa raste eprorët kishin refuzuar vendimmarrjen e saj dhe se ishte ngarkuar padrejtësisht me çështje edhe në kohën kur kishte qenë me leje.

E pyetur nga anëtarët e KLP-së në lidhje me ngarkesën, prokurorja nuk qe në gjendje të jepte përgjigje konkrete se sa çështje kishte hetuar. Ajo tha se veç kësaj ngarkese ishte marrë me urdhrat e ekzekutimit dhe një mori punësh të tjera. Zeneli tha se shumë prokurorë ishin larguar nga prokuroria e Dibrës pikërisht për shkak të ngarkesës dhe shtoi se këto largime e kishin penalizuar për shkak se ishte ngarkuar edhe me punë të pakryer prej tyre.

Zeneli po ashtu nuk qe në gjendje të fliste për statusin e çështjeve konkrete për të cilat ishte hetuar. Ajo tha se nuk dinte të thoshte nëse një person që kishte një masë sigurimi “arrest shtëpie” që prej vitit 2013 vijonte ende të ishte nën këtë masë. Ajo nuk u përgjigj për pyetjen nëse kishte apo jo shkelje të drejtave të njeriut.

Në fund të seancës, prokurorja e cilësoi masën e kërkuar ndaj saj si ekstreme dhe i kërkoi KLP-së të mbante parasysh ngarkesën në punë dhe një sërë rrethanash që i paraqiti në seancë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.