Shpëtuan nga kampi i ferrit, nëna ritakohet me të birin, Eva refuzon atdheun. Rama: Kush ka bërë krime, para drejtësisë

0 331

Vrasjet, mungesa e ujit dhe e bukës por mbi të gjitha pyetja kur do të marrë fund mankthi, janë realiteti i hidhur në “kampin e ferrit”. Drama në kampin Al-Hawl në Siri është e madhe, aty ku ndodhen familjarët e luftëtarëve të vdekur të Shtetit Islamik. Eva dhe Endri Dumani ishin përkatësisht 8 dhe 6-vjeç, kur babai i tyre i rrëmbeu 6 vjet më parë dhe së bashku me ta shkoi drejt Sirisë për t’iu bashkuar xhihadistëve në Shtetin Islamik. Një vit më pas, gjyshja e tyre Mentije Dumani shkoi drejt Sirisë për të tërhequr fëmijët, por edhe ajo mbeti atje, e burgosur së bashku me fëmijët në kampin Al-Hawl deri sa ndërroi jetë disa javë më parë. Kjo dramë disi u lehtësua por Eva është ende atje, në kamp.

Në Rinas u ul avioni “Air Albania”, ku bashkë me kryeministrin Edi Rama ishin katër fëmijët dhe një grua që u shpëtuan nga kampi i ferrit në Siri. Pas 6 vitesh, mamaja e Endrit, Mide Ndregjoni, arriti të rishohë djalin e saj por gëzimi nuk është i plotë, pasi Eva nuk pranoi të rikthehej, duke iu fshehur autoriteteve që ishin futur në kamp për ta kërkuar. Kryeministri Rama, në një konferencë pas mbërritjes në Siri në Rinas, me zërin e dridhur dhe frymëmarrjen e vështirësuar, u pa i prekur në fjalën e parë para gazetarëve. “Mirëdita, shumë faleminderit që keni ardhur këtu, mendoj se është një arsye e pazakonshme. Më vjen mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar por të suksesshëm. Por ajo që është më e rëndësishme është që kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave. Herët ose vonë do të kthejmë edhe pjesën tjetër këtu në Shqipëri”,-tha Rama.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë tha se ka vështirësi për kthimin e disa fëmijëve. “Dua të them që nxjerrja e këtyre fëmijëve nga një ferr është proces i komlikuar, janë në mes prindër që kanë pozicione të radikalizuara. Ka forca kampi që nuk janë të njëjtat që duhet diskutuar për të kaluar pa surpriza dhe gryka zjarresh. Puna e bërë ka qënë intensive. Siç e kam thënë edhe sot paradite, e gjithë kjo është mundësuar falë gjeneralit Abass Ibrahim që më premtoi se operacioni do të vijojë. Edhe disa fëmijë janë në vështirësi, por nuk dua të jap detaje sepse mund të kompromentojnë”,-tha më tej Rama.

Nga ana tjetër, kreu i qeverisë tregoi edhe mënyrën se si do të integrohen në shoqëri këta fëmijë. “Struktura është gati për këta 4 fëmijë dhe për gjithë të tjerët që do të vijnë më pas, me mësues e psikologë. Do të punohet hap pas hapi për t’i integruar pastaj në strukturat sociale”,-tha kreu i qeverisë. I pyetur nëse personat madhorë të riatdhesuar do të ndiqen penalisht, Rama u shpreh se “kush ka bërë krime do t’i nënshtrohet drejtësisë”.

Kryeministri sqaroi se shteti shqiptar po ndjek “këdo që është shtetas i Republikës i Shqipërisë, pavarësisht moshës”, duke lënë të kuptohet se është shumë e ndërlikuar përpjekja për largimin nga Siria të personave me kombësi shqiptare, por shtetas të vendeve të tjera.

Drejtori i Antiterrorit, Gledis Nano, u shpreh i bindur në vijimin e operacionit për të shpëtuar fëmijët e tjerë, që prej vitesh kanë ngecur në kampin Al-Hawl në Siri. “Veç detajeve që s’mund t’i bëjmë të ditura janë edhe emocionet, jo vetëm si punonjës i policisë por edhe si prind për të shpëtuar jetën e 4 fëmijëve. Po presim vetëm kryerjen e procedurave për të udhëtuar në misionin tjetër. Problematikë tjetër është se dhe në Liban situata nuk është e lehtë, u nisëm për disa ditë dhe qëndruam në mision 5 javë. Ka 1500 të prekur nga coronavirus në Liban, këto problematika na kanë bërë të ecim më ngadalë”, u shpreh kreu i Antiterrorit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.