Si do dalë në zgjedhje foltorja?

0 184

Foltorja ka zbuluar disa nga sekretet e garimit në zjedhjet e pjesshme lokale që do të zhvillohen në 6 mars. Në një konferencë me mediat Sali Berisha ka prezantuar gjashtë kandidatët që fituan votën e militantëve në primaret e së dielës (Bashkia Vorë- Lulzim Vrana, Bashkia Shkodër- Bardh Spahia, Bashkia Durrës- Ardian Muka, Bashkia Dibër- Premtim Kryemadhi, Bashkia Lushnjë- Elton Bano, Rrogozhinë- Hekuran Xhani) dhe ka treguar për formimin e koalicionit, emrin që do të mbajë dhe siglën me të cilën do të paraqitet.

Lajmi i parë ishte se tashmë koalicioni me LSI-në është mbyllur dhe dy partitë do të dalin së bashku në të gjashtë bashkitë. Zgjedhjet që u shpallën nga presidenti Meta enkas për të ndihmuar grupimin e Berishës nuk do të kishte kuptim që LSI të dilte me kandidatë më vete. Prandaj partia presidenciale nuk ka paraqitur të tillë. Nga ana tjetër kjo strategji ndihmon shumë në imazhin e grupimit të foltores. Duke qenë se KQZ ka njohur zyrtarisht PD në e Bashës, vulën dhe siglën e saj, dalja në koalicion e ruan Berishën nga paraqitja me kandidatë të pavarur ose me një forcë të re. Ai ka mundësi sërisht të perzantohet si PD e vërtetë , por që po hyn në zgjedhje së bashku me parti të tjera dhe prandaj do të paraqitet me emër dhe logo tjetër.

“Rama me bandat e tij me uniformë dhe pa uniformë, siç e dini, ka konfiskuar në një akt madhor kriminal politik siglën e PD. Prandaj ne do të dalim pas marëveshjes me aleatët me një logo të re. Por kjo nuk i pengon demokratët që ta shohin të shkruar në ballin e këtyre zotërinjve dhe të gjithë mbështetësve siglën e vërtetë të PD-së tha Berisha duke treguar me dorë gjashtë kandidatët. Ai shtoi: “Logoja në koalicione është logo koalicioni gjithmonë. Logo në koalicione nuk është e një partie. Kjo është gjithmonë një logo që gjendet për atë që quhet aleancë” tha ai. Berisha tregoi edhe emrin e koalicionit: “ne e quajtëm Shtëpia e Lirisë”, duke bërë një referencë të qartë me godinën që nuk e pushtoi dot në 9 janar gjë që ende me sa duket i djeg shumë.

Por me sa duket hapja e foltores nuk do të mbyllet me LSI-në por do të shtrihet edhe në dy drejtime të tjera. Kështu afrimi më i mundshëm është ai i Jozefina Topallit e cila mund të ketë një rol në zgjedhjet e bashkisë Shkodër, atu ku opozita pretendon më shumë. Duke dalë si parti më vete në 25 prill, Topalli mori gati një mijë vota duke e privuar PD-në nga një deputet.

“Ata do të kontribuojnë në këtë fushatë. Unë do t’i ftojë ata. Hapja e PD-së ndaj atyre që kanë kontribut e është një ligj i pandryshueshëm në procesin e rithemelimit të PD-së” – tha Berisha.

Ai njoftoi ashtu se negociatat vazhdojnë edhe me katër partitë aleate të PD-së të cilat deri më tani kanë deklaruar se do të qëndrojnë larg dualizmit Basha -Berisha në këto zgjedhje. Në paqartësi se si do të konkludohet marëveshja me to Berisha u mjaftua me shprehjen e thatë: “Jemi në bisedime me parti të tjera”.

Ai u mbur me faktin se primaret u zhvilluan për herë të parë dhe nxorën nga shtëpitë e tyre për të votuar më shumë se 5 500 demokratë, por grupimi i Bashës e konsideroi këtë proces si një farsë që bëhet për hallet e Berishës: “Sali Berisha ka vetëm një garë, atë për të dëmtuar Partinë Demokratike” ishte mesazhi që doli nga SHQUP-i, i cili e kondideroi koalicionin e ri si aleanca e non gratave. Po të njëjtën shprehje përdori edhe shefi i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. I pyetuar nga gazetarët për gjashtë kandidatët e shpallur ai tha: “Do përgjigjem personalisht për këtë pyetje: “non grata” mbetet “non grata” dhe produktet që vijnë nga “non grata” janë “non grata”,” tha Balla.

Leave A Reply

Your email address will not be published.