Si u bë Facebook-u “opiumi i masave”

0 47

Nga František Vrabel

Në luftën kundër keqinformimit, armiku mund të jetë i vështirë për t’u përcaktuar. Gazetarët, politikanët, qeveritë, madje edhe gjyshërit janë akuzuar se kanë mundësuar përhapjen e gënjeshtrave në internet.

Ndërsa asnjë nga këto grupe nuk është tërësisht i pafajshëm, kundërshtari i vërtetë është më i zakonshëm. Siç dëshmoi dekonspiruesja e Facebook, Frensis Hogen, në fundin e vitit të kaluar, janë algoritmet e mediave sociale ato që e bëjnë të mundur keqinformimin përmes rrjetit.

Që nga themelimi i tij në vitin 2004, Facebook është rritur nga një faqe e rrjeteve sociale të disa mijëra studentëve, në një “përbindësh vëzhgimi” që po e shkatërron kohezionin social dhe demokracinë në mbarë botën.

Facebook mbledh të dhëna të përdoruesve – përfshirë fakte shumë personale, si pesha trupore apo shtatzënia – për të hartuar ADN-në sociale të përdoruesve të tij. Më pas kompania ia shet këtë informacion kujtdo – nga prodhuesit e shampove tek shërbimet sekrete ruse dhe kineze apo kujt do që dëshiron të “mikro-shënjestrojë” 2.9 miliardë përdoruesit e kësaj platforme.

Në këtë mënyrë, Facebook u lejon palëve të treta të manipulojnë mendjet dhe të tregtojnë “të ardhmen njerëzore”:modele parashikuese të zgjedhjeve që mund të bëjnë individët. Facebook është përdorur në mbarë botën, për të mbjellë mosbesim tek institucionet demokratike.

Algoritmet e tij kanë lehtësuar përdorimin e dhunës në botën reale, nga gjenocidi në Mianmar deri tek rekrutimi i terroristëve në Amerikën e Jugut, Afrikën Perëndimore dhe Lindjen e Mesme. Gënjeshtrat për manipulimin e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara, të promovuara nga ish-presidenti Donald Trump, vërshuan në Facebook përpara trazirave të 6 janarit 2021.

Ndërkohë në Evropë, Facebook bëri të mundur përpjekjet perverse të liderit autokrat të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko për t’i përdorur emigrantët si armë kundër Bashkimit Evropian.Në Republikën Çeke, keq-informimet me origjinë nga Rusia, dhe të shpërndara në rrjet e kanë pushtuar hapësirën kibernetike çeke, falë kodit keqdashës të Facebook.

Një analizë e bërë nga kompania ime, zbuloi se qytetari i zakonshëm çek është i ekspozuar 25 herë më shumë sesa një amerikan mesatar ndaj keqinformimit në lidhje me vaksinën Covid-19. Situata është aq e rëndë, dhe veprimi i qeverisë kaq i dobët, sa që çekët mbështeten tek shoqëria civile – përfshirë vullnetarët e njohur si “Elfët” çekë – për ta monitoruar dhe kundërshtuar këtë ndikim.

Deri më tani përpjekjet për të reduktuar kërcënimin e Facebook ndaj demokracisë,kanë dështuar. Në Republikën Çeke, Facebook hyri në një partneritet me Agence France-Presse për të identifikuar përmbajtjet e dëmshme.

Por me vetëm një punonjës me kohë të pjesshme, dhe me një kuotë mujore prej vetëm 10 postimesh të dyshimta, këto përpjekje janë një pikë në “oqeanin”e keqinformimit. “Dosjet e Facebook-ut”, të publikuara nga “The Wall Street Journal”, konfirmojnë se Facebook vepron në vetëm 3-5 për qind të rasteve të gjuhës së urrejtjes”.

Facebook u ka dhënë përdoruesve mundësinë që të heqin dorë nga reklamat me porosi dhe ato politike. Por ky është një gjest simbolik. Disa organizata, si “Ranking Digital Rights”, kanë kërkuar që platforma të ç`aktivizojë opsionin e reklamave të detyrueshme për t’u shfaqur.

Por kjo nuk mjafton. Mikro-shënjestrimi që është në bazën e modelit të biznesit të Facebook, mbështetet tek Inteligjenca Artificiale për të tërhequr vëmendjen e përdoruesve, për të maksimizuar angazhimin e tyre, dhe për të ç’aktivizuar të menduarit kritik.

Në shumë aspekte, mikro-shënjestrimi është ekuivalenti dixhital i krizës së opioideve. Por Kongresi Amerikan është treguar shumë aktiv vitet e fundit për të mbrojtur njerëzit nga opioidet përmes një ligji që synon të rrisë qasjen në trajtim, edukim dhe mjekime alternative.

Për t’i dhënë fund varësisë së botës ndaj lajmeve të rreme dhe gënjeshtrave, ligjvënësit duhet të njohin krizën aktuale të keqinformimeve për atë që është, dhe të ndërmarrin veprime të ngjashme, duke filluar me rregullimin e duhur të modelit të mikro-shënjestrimit.

Problemi është se askush jashtë Facebook-ut nuk e di se si funksionojnë algoritmet komplekse të kësaj kompanie. Dhe mund të duhen muaj, në mos vite, për t’i deshifruar ato. Kjo do të thotë se rregullatorët nuk do të kenë zgjidhje tjetër, veçse të varen nga punonjësit e Facebook që t’i orientojnë ata në këtë detyrë. Për të inkurajuar këtë bashkëpunim, Kongresi duhet t’u ofrojë atyre imunitet të përgjithshëm civil dhe penal dhe dëmshpërblim financiar.

Rregullimi i algoritmeve të mediave sociale duket si një proces i ndërlikuar, por kjo nuk është asgjënë krahasim me rreziqet dixhitale edhe më të mëdha në horizont. “Deepfakes” – manipulimi në shkallë të gjerë i videove dhe imazheve i bazuar sërish tek Inteligjenca Artificiale për të lëkundur opinionin publik – nuk është ende një temë dominuese e diskutimeve në Kongresin Amerikan.

Ndërsa ligjvënësit po shqetësohen për kërcënimet e paraqitura nga përmbajtja tradicionale, “Deepfakes” paraqesin një sfidë edhe më të madhe për privatësinë individuale, demokracinë dhe sigurinë kombëtare. Ndërkohë vetë Facebook po bëhet më i rrezikshëm.

Një investigimi i kohëve të fundit nga “MIT Technology Review”zbuloi se kompania financon keqinformimin duke “paguar miliona dollarë reklama për klikuesit me pagesë”. Dhe planet e kreut të saj, Mark Zukerberg, për të ndërtuar një metaverse, “një konvergjencë midis realitetit fizik, të shtuar dhe atij virtual”, duhet të frikësojnë kudo entet rregullatore. Mjafton të imagjinoni dëmin e mundshëm që mund të shkaktojnë këto algoritme të parregulluara të Inteligjencës Artificiale, në rast se lejohen të krijojnë një realitet të ri për miliarda njerëz.

Në një deklaratë pas seancave të fundit dëgjimore në Uashington, Zukerberg përsëriti një ofertë që e ka bërë edhe më parë:“Rregulloni me ligj aktivitetin tonë”.

“Unë nuk besoj se kompanitë private duhet që t’i marrin vetë të gjitha vendimet. Ne jemi të përkushtuar të bëjmë punën më të mirë që mundemi. Por në një farë niveli, organi i duhur për të vlerësuar çështjen e respektimit të të drejtave të privatësisë është Kongresi ynë i zgjedhur në mënyrë demokratike”- tha ai.

Zukerberg ka të drejtë:Kongresi i SHBA-së ka përgjegjësinë të veprojë. Por edhe Facebook ka gjithashtu përgjegjësinë të veprojë. Derisa Facebook të lejojë shqyrtimin e algoritmeve të tij, lufta kundër keqinformimit nuk do të fitohet, dhe demokracitë në mbarë botën do të vazhdojnë të jenë në mëshirën e një industrie të paskrupullt dhe renegate.

Shënim: František Vrabel, drejtues dhe themelues i “Semantic Visions”, një kompani analitike me seli në Pragë që mbledh dhe analizon 90 për qind të përmbajtjes së lajmeve në internet në botë. / “Project Syndicate”

Leave A Reply

Your email address will not be published.