Situatë kaotike në Ballkan, Serbia kërkon avionë ushtarakë

0 39

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, thotë se vendi i tij do të vazhdojë të fuqizojë forcat e armatosura dhe po kërkon të blejë më shumë avionë ushtarakë në mesin e tensioneve në Ballkan. Vuçiç deklaroi se janë ndërmarrë “nisma të caktuara” për të blerë një flotë avionësh bombardues, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe vende tjera perëndimore për armatosjen e fqinjëve të Serbisë që janë pjesë e NATO-s, përfshirë edhe Kosovën.

“Amerikanët, turqit dhe gjermanët po kujdesen për fëmijën e tyre të dashur”, tha ai duke ju referuar Kosovës, duke shtuar se Uashingtoni kohët e fundit i ka dorëzuar një numër automjetesh të blinduara Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjatë fundjavës në Kosovë ka mbërritur një pjesë e automjeteve ushtarake amerikane të tipit Humwee të cilat ishin kontraktuar nga Prishtina zyrtare korrikun e vitit 2018.

Një pjesë e tyre janë dhuratë për Forcën e Sigurisë së Kosovës e cila në dhjetor të vitit 2018 u shndërrua në ushtri duke nxitur reagimin e Beogradit i cili kundërshton pavarësinë e Kosovës të shpallur në shkurt të vitit 2008. Presidenti serb nuk e sqaroi se çfarë lloj avionësh ushtarak planifikon të blejë Serbia, por mediat pro-qeveritare thanë se kishte kërkuar zyrtarisht nga Shtetet e Bashkuara mundësinë e blerjes së 20 avioneve të tillë pa hyrë në detaje të tjera.

Leave A Reply

Your email address will not be published.