S’ka mbrëmje të maturës/Shahini: S’mundësojnë distancimin social

0 24

Me shumë vështirësi Ministria e Arsimit vendosi sesi do të mbyllet viti shkollor dhe sesi do të japin maturantët provimet e maturës. Teksa për këtë pjesë u gjet zgjidhja, maturantët e këtij viti do duhet të gjejnë forma të tjera për të festuar mbylljen e 3 viteve shkollë, pasi nuk do të ketë mbrëmje mature. Virusi ka anuluar një nga festat simbol të maturantëve, mbrëmjen e maturës. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, ka dhënë lajmin jo shumë të mirë që mbrëmjet e maturës janë anuluar pasi janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve. “Për fat të keq, jo. Mbrëmjet e maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe të gjejmë forma të tjera për të festuar”.

Nga ana tjetër, Shahini ka njoftuar se kush mendon se mund t’i bëjë provimet pa pasur nevojë për konsultime, atëherë nuk është e nevojshme që të rikthehen në bankat e shkollës, por duhet të njoftohet drejtori i shkollës, para 11 majit, që të planifikohet ulja e nxënësve në klasa për të ruajtur distancimin social. Në tre javët që janë planifikuar rikthimi në shkollë, nuk përfshihen të shtunat dhe të dielat. Që do të thotë se fundjava do të jetë pushim, si gjithmonë.

“Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ne po i hapim shkollat për maturantët ekskluzivisht për shkak se ju keni kërkuar që të keni konsultime me mësuesit tuaj përpara se të bëni provimin e maturës. Ndaj, nëse ndiheni që mund të bëni provimin e maturës pa e bërë këtë konsultim, ju mund të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe, të punoni individualisht, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës para 11 majit, në mënyrë që të planifikojmë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social për ata që shkojnë në shkollë”.

Duke u ndalur tek provimet, Shahini ka njoftuar se në dispozicion të maturantëve duke filluar nga nesër (e hënë, 4 maj) do të ketë komunikime të përditshme nga ana e Rezana Vrapi, drejtore e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) mbi elemente dhe detaje të ndryshme të këtij provimi. Ajo thotë se “paralelisht, platforma akademi.al ka xhiruar pyetje dhe zgjidhje të detyrave për provimet kryesore në matematikë dhe shkenca, të cilat do t’i transmetojnë në RTSH. Maturantët që kanë mbetur të bllokuar jashtë vendit, duhet të presin edhe pak, sqaron ministrja, pasi në datën 11 maj pritet të merret një vendim për hapjen ose jo të kufijve. Nëse nuk do të hapen kufijtë, atëherë mësimi do të vijojë online.

Leave A Reply

Your email address will not be published.