S’ka më jetë nate, qeveria mbyll klubet

0 286

Qeveria vendosi të mbyllë klubet e natës duke paralajmëruar gjobitjen me 3 milionë lekë për cilindo sipërmarrës që nuk zbaton këtë vendim. Po kështu është vendosur të ndalohet muzika për çfarëdolloj aktiviteti pas orës 20:00, gjë që nëse shkelet do të gjobitet me 1 milionë lekë.

Masat i njoftoi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në një konferencë për shtyp. Ajo arsyetoi se vendimi është marrë përballë një indiference të theksuar të të rinjve që frekuentojnë në orët e vona lokalet me muzikë të njohura si lounge bare. ”Kemi konstatuar që në këtë periudhë, se ato [klubet e natës dhe lounge-bar-et], janë kthyer në vendgrumbullime të rinjsh, ku injorohet dhe sfidohet totalisht zbatimi i masave të domosdoshme, për parandalimin e përhapjes së Covid-19, duke i shndërruar në vatra potenciale infeksioni. Të rinjtë dhe personat që frekuentojnë këto mjedise, në kushte të papranueshme për një kohë pandemie, bëhen kështu në bartës të virusit, në dëm të të afërmve dhe më të moshuarve. Qeveria ka vendosur që nga sot, t’i thotë stop kësaj sfide që u bëhet rregullave të vendosura për të frenuar pandeminë, me qëllim uljen e numrit të infeksioneve, mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe jetën e më të dobtëve mes nesh”.

Shqipëria vazhdon të shënojë rritje të shifrave të të infektuarve nga COVID-19. Aktualisht 123 pacientë janë duke u trajtuar në dy spitalet COVID, dhe 112 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje.

Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili: Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3 000 000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare. Ndalon muzikën pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1 000 000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.

Leave A Reply

Your email address will not be published.