Sot 14 vjet nga tragjedia e Gërdecit, familjarët me sytë nga SPAK

0 207

Sot, kur data shënon 15 mars 2022, bëhen plot 14 vite nga tragjedia e Gërdecit, ku në fabrikën e demontimit të armëve humbën jetën 26 persona, rreth 300 të tjerë u plagosën, ndërkohë që dëmet materiale ishin të konsiderueshme.

Çdo përvjetor të kësaj tragjedie, familjarët e viktimave zhvillojnë homazhe te Memoriali i viktimave, në periferi të fshatit Gërdec.

Si ndodhi shpërthimi, i ngjashëm me një bombë atomike, që vrau 26 persona:

Ishte mesdita e 15 marsit të vitit 2008, kur një shpërthim i fuqishëm ndodhi në fabrikën e demontimit të armëve në Gërdec që vrau 26 burra, gra e fëmijë, të cilët ishin viktimë punës jashtë çdo kushti teknik e ligjor në demontim municionesh, të cilët eksportoheshin si skrap dhe municione luftarake, me marka të falsifikuara në Afganistan, Irak, Libi, Tunizi, Egjipt etj.

Shpërthimi shkaktoi një krater gjigand me një thellësi prej 120 inçsh. Shpërthimi vrau 25 persona (26 së bashku me të vdekurën në spital, si pasojë e djegieve të rënda) dhe ngjasonte me një kërpudhë të zezë tymi.

Shumë analistë e quajtën atë si “bombë atomike në miniaturë” edhe pse do të ishte e ekzagjeruar të bënim një krahasim të tillë. Dëshmitarë që përjetuan ngjarjen thonë se valanga e shpërthimit i kishte hedhur ato disa metra tutje.

Fatkeqësisht, as fëmijët nuk u kursyen në këtë masakër. Rasti konkret ishte Flavio Deliu (vetëm katër vjeç), i cili humbi jetën gjatë shpërthimit. Shtëpi të shumta u shkatërruan dhe shumë biznese që ndodheshin në këtë zonë, pësuan dëme të rënda.

Personat që humbën gati gjithçka në shpërthim filluan protesta të shumta në të gjithë vendin. Ata u ankuan për dëme fizike, morale dhe materiale, ndërkohë që qeveria iu dha atyre vetëm 1 300 dollarë për person.

Maratona gjyqësore e tragjedisë së Gërdecit/ Çështja në pritje të gjykimit nga SPAK që e riktheu për gjykim:

Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, por sot nuk ka asnjë person përgjegjës që ndodhet pas hekurave. Nga kjo tragjedi pati persona që ndërruan jetë në mënyrë të pashpjegueshme, pati dëshmitarë që u arratisën, ushtarak që morën azil politik, por për familjarët asnjëherë nuk u vendos drejtësi.

Por pavarësisht kësaj zvarritje, në tetor të vitit 2021 Gjykata e Lartë i pranoi SPAK kërkesën për marrjen e pandehur të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu. Nga ai moment edhe pse SPAK njoftoi kryerjen e veprimeve dhe marrjen në pyetje të Mediut kjo ende nuk ka ndodhur.

Dosja voluminoze prej 90 fashikuj e Gërdecit hetuar përgjatë 2008-2009 është tërhequr nga arkiva dhe ndodhet në SPAK. Për 26 viktimat dhe 300 të plagosurit nga shpërthimi askush nuk ndodhet në qeli. Gjykata e Lartë ka rrëzuar pak javë më parë rekursin e Fatmir Mediut për të mos u hetuar.

Apeli i GJKKO, më 24 shtator mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda. 13 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre.

Leave A Reply

Your email address will not be published.