Spaho: Për BE-në plotësimi i kushteve s’është lojë fjalësh. Rama, i tmerruar nga humbja

0 420

Nënkryetari i Partisë Demokratike: Në Parlamentin Europian mbizotëroi shqetësimi që në Shqipëri jo vetëm nuk ka progres, por po bëhen hapa shqetësues prapa

Nënkryetari i Partisë Demokratike Edmond Spaho deklaron se mesazhet e dhëna nga Komisioni i Venecias, Parlamenti Europian dhe Komisioni i tij i Jashtëm janë fare të qarta: Shqipëria nëse dëshiron të hapë negociatat duhet të punojë seriozisht dhe të plotësojë të 15 kushtet që fillojnë me miratimin e Kodit Zgjedhor, krijimin e Gjykatës, Kushtetuese, dhënien e verdiktit nga kjo për zgjedhjet moniste të vitit të kaluar, hetimin e dosjeve të vjedhjes së zgjedhjeve në Durrës dhe Dibër, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të gjithë çështjet e tjera të vendosura në dokumentin e Bundestagut gjerman dhe miratuar më pas nga Komisioni Europian.

Në një intervistë për “Koha Jonë”, Spaho thekson se për Bashkimin Europian plotësimi i kushteve për hapjen e negociatave me Shqipërinë nuk është lojë fjalësh. Por, thotë ai, Edi Rama e shikon këtë si një proces ku më të interesuar janë europianët se sa Shqipëria, ndaj dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për plotësimin e kushteve të vendosura. Është kjo arsyeja, thotë Spaho, se si në rezolutën e miratuar para pak ditësh nga Parlamenti Europian me shumicë absolute votash, ashtu edhe në mbledhjen e së hënës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit, mbizotëroi shqetësimi që në Shqipëri jo vetëm nuk ka progres, por po bëhen hapa shqetësues prapa.

“Vetëm në një regjim si ky i Shqipërisë, prishet natën dhe nën pandemi Teatri Kombëtar, i marrë nën mbrojtje nga institucionet ndërkombëtare si trashëgimi kulturore europiane. Se sa serioze është gjendja në Shqipëri dhe sa prapa ka bërë demokracia e treguan vendimet e Komisionit të Venecias për përpjekjet e maxhorancës për të marre kompetencat e Presidentit të Republikës në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe shtrirjen e kontrollit të plotë mbi këtë institucion. Paralelisht me të ishte rrëzimi i ligjit të turpshëm për kontrollin e medias kundërshtare të Edi Ramës, dhe veçanërisht, mediave online”, shprehet nënkryetari i PD-së,  Edmond Spaho.

Intervista e plotë

Zoti Spaho, me një gjuhë të paprecedentë duke hequr dhe petkun e diplomacisë, eurodeputetët e Parlamentit Europian thuajse nuk kursyen dje asgjë në deklaratat e tyre ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare lidhur krimin zgjedhor, krimin e organizuar, korrupsionin, kthimin e Shqipërisë në “vasalitet” të Turqisë, e deri tek çështja e Teatrit Kombëtar. Kujtojmë që këto mesazhe vijnë vetëm pak ditë nga publikimi i raportit të Komisionit të Venecias, që rrëzoi qeverinë dhe mazhorancën lidhur me kushtetutshmërinë e akteve dhe nismave të saj për emërimet në Gjykatën Kushtetuese dhe shkarkimin e Presidentit. Ju si i lexoni këto mesazhe?

Për Bashkimin Europian plotësimi i kushteve për hapjen e negociatave me Shqipërinë nuk është lojë fjalësh. Ata janë shumë seriozë në ato që thonë dhe bëjnë. Për fat të keq, Edi Rama e shikon këtë si një proces ku më të interesuar janë europianët se sa Shqipëria dhe nuk ka bërë asnjë përpjekje për plotësimin e kushteve të vendosura. Si në rezolutën e miratuar para pak ditësh nga Parlamenti Europian me shumicë absolute votash, ashtu edhe në mbledhjen e së hënës të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit, mbizotëroi shqetësimi që në Shqipëri jo vetëm nuk ka progres, por po bëhen hapa shqetësues prapa. Shqipëria është kthyer në një shtet autarkic, ku të gjitha institucionet, përfshirë Parlamentin, kontrollohen nga Edi Rama, tentakulat e tij janë shtrirë në sistemin e ri të drejtësisë, ku nëpërmjet veglave qorre kontrollon emërimet dhe ka bllokuar krijimin e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese.

Parlamenti jo vetëm voton çfarë do Rama, por prodhon pa reshtur ligje në interes të oligarkëve. Mjafton t’ju kujtoj ligjet e fundit për koorporatën e investimeve, ligjin për ndërtimin e portit në Porto-Romano, ligjin për heqjen e TVSH-së në blerjen e jahteve, ligjin për pronat, ku Kushtetuta e vendit shkelet hapur. Vetëm në një regjim si ky i Shqipërisë, prishet natën dhe nën pandemi Teatri Kombëtar, i marrë nën mbrojtje nga institucionet ndërkombëtare si trashëgimi kulturore europiane. Se sa serioze është gjendja në Shqipëri dhe sa prapa ka bërë demokracia e treguan vendimet e Komisionit të Venecias për përpjekjet e maxhorancës për të marrë kompetencat e Presidentit të Republikës në emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe shtrirjen e kontrollit të plotë mbi këtë institucion.

Paralelisht me të ishte rrëzimi i ligjit të turpshëm për kontrollin e medias kundërshtare të Edi Ramës, dhe veçanërisht, mediave online. Mesazhet e dhëna nga Komisioni i Venecias, Parlamenti Europian dhe Komisioni i tij i Jashtëm janë fare të qarta: Shqipëria nëse dëshiron të hapë negociatat duhet të punojë seriozisht dhe të plotësojë të 15 kushtet që fillojnë me miratimin e Kodit Zgjedhor, krijimin e Gjykatës, Kushtetuese, dhënien e verdiktit nga kjo për zgjedhjet moniste të vitit të kaluar, hetimin e dosjeve të vjedhjes së zgjedhjeve në Durrës dhe Dibër, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, dhe të gjithë çështjet e tjera të vendosura në dokumentin e Bundestagut gjerman dhe miratuar më pas nga Komisioni Europian.

Ndërkohë, nga ana tjetër po dje kryeministri Edi Rama nuk shfaqi asnjë reflektim, duke paralajmëruar miratimin në Kuvend të paketës për reformën zgjedhore, me apo konsensusin e opozitës së bashkuar (jashtëparlamentare) çka në thelb duket dhe si një sfidë ndaj partnerëve ndërkombëtarë që u investuan në marrëveshjen politike të 5 qershorit. Pse ky nervozizëm nga ana e kreut të Qeverisë? Në këto kushte, çfarë i mbetet opozitës për të bërë për të përmbysur Edi Ramën dhe mazhorancën qeverisëse?

Rama është i tmerruar nga rezultati i pritshëm i zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme. Të gjitha sondazhet që kryen i tregojnë që do të humbë thellë ndaj Opozitës së Bashkuar. Prandaj po tenton hap pas hapi të marrë në dorë kontrollin e rezultatit zgjedhor. E bëri dhe dështoi me të ashtuquajturit komisione jopolitike të procesit zgjedhor dhe numërimit të votave, po vazhdon me tentativat për heqjen e koalicioneve paraelektorale dhe formimin e KQZ-së. Asnjë tentativë e Ramës nuk e shpëton dot nga humbja dhe rotacioni politik për të cilin ka kaq shumë nevojë vendi që të dalë nga rruga e greminës ku po na çon Rama dhe Rilindja e tij. Opozita do të vazhdojë të jetë e bashkuar dhe unifikuar, do të zgjerohet akoma më shumë me të gjithë ata të cilët vënë interesat e vendit mbi ato personale. Po përgatitet për administrimin shembullor të zgjedhjeve dhe ruajtjen e çdo vote të saj, për të bërë të mundur që në çdo moment që zhvillohen zgjedhjet, fitorja të jetë e saj dhe Rama të hidhet në koshin e plehrave të historisë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.