SPAK dhe hijet e paprekshme!

0 42

NGA ALESIA BALLIU

Reforma në drejtësi është një prej ndryshimeve më të rëndësishme të sistemit gjyqësorë shqiptar, e cila, megjithatë, në gjashtë vitet që prej implementimit të ndryshimeve kushtetuese të votuara njëzëri nga legjislativi, vazhdon të prodhojë polemika, diskutime, shpresë dhe fatkeqësisht, edhe zhgënjim.

Duke qenë se nga momenti i formimit të këtyre institucioneve ka kaluar një periudhë jo e pakët kohore, ia vlen të analizojmë vijueshmërinë e punës së institucioneve të instaluara nga zbatuesit e reformës, të mbështetur pa asnjë kursim nga përfaqësitë e huaja të vendeve aleate. Pyetja është, pas gjashtë vjetësh që prej implementimit, a mund të pohojmë me besueshmëri të plotë se institucionet e reja të formuara prej kësaj reforme janë të afta për të mposhtur korrupsionin tashmë sistematik të instaluar në Shqipëri?

Duke analizuar rezultatet e deritanishme të këtyre institucioneve a mund të pohojmë me besueshmëri të plotë se strukturat e reja dhe ushtruesit e funksioneve në ato, janë premtues për zhvillime të mëtejshme në luftën ndaj korrupsionit shtetëror? A mund të themi se reforma në drejtësi, si një zhvillim i jashtëzakonshëm ligjor dhe kushtetues prodhoi bazën e mjaftueshme ligjore për të mundësuar luftën ndaj korrupsionit, apo mund të lindë nevoja për thellimin e reformës, dhe pse jo të një reforme të dytë? Çfarë ka në përbërje ky vend që zhvleftëson çdo përvojë korrigjuese reformative për rikthim të shtetit ndër anët tona?

Institucioni i parë nga rëndësia qoftë në aspektin ligjor procedural penal, qoftë dhe sa i takon publicitetit të jashtëzakonshëm të kryer i cili paraqitet si zgjidhësi i vetëm i problematikave të korrupsionit shtetëror është pikërisht Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Kjo strukturë ka në përbërje të vetën Prokurorinë e Posaçme si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Efektshmëria e punës së SPAK mund të analizohet vetëm në 3 vitet e fundit, pasi Prokuroria e Posaçme çeli ‘zyrën’ në nëntor të vitit 2019, ndërsa BKH u konfigurua plotësisht vetëm në vitin 2020. Në këtë pikë është shprehimisht e vështirë të analizojmë rezultatet e punës së këtyre institucioneve duke prodhuar një raport të qenësishëm të efikasitetit të tyre në një kohë kaq të shkurtër. Nëse do të bazoheshim vetëm tek elementi i hetimeve komplekse anti-korrupsion apo kundër krimit të organizuar mund të dalim në konkluzionin që shumica dërrmuese e këtyre hetimeve kërkojnë më shumë kohë për t’u kryer sesa mosha e këtyre institucioneve, më shumë staf të profesionalizuar, të mbrojtur, të ftohtë dhe të pjekur për zbatim rradhe të drejtë nga lart poshtë në hetimin penal. Këtu duhet adresuar pika më e rëndësishme kundër çdo kritiku të punës së këtyre institucioneve. Koha thjesht ka qenë shumë e limituar për të gjykuar punën e tyre dhe kultura vendore mbi shtetin, që jep vendosmërinë për zbatimin e ligjshmërisë, mbrojtja dhe paprekshmëria e hetuesve dhe prokurorëve, e pakët në vendin tonë të përçudnuar.

Nëse do të analizonim të dhënat e Raportit Vjetor të SPAK 2021, mund të vërejmë ekzistencën e një numri të madh çështjesh të proceduara nga ana e prokurorisë së posaçme. SPAK ka kryer 129 procedime penale në 2021(krahasuar me 91 në 2020), ka marrë nën hetim 1500 subjekte(krahasuar me 1175 në 2020), ka ndaluar 179 persona në 2021( krahasuar me 171 në 2020). Të gjitha të dhënat paraqesin një institucion i cili po prodhon rezultate. Por të dhënat statistikore nuk mjaftojnë. Shumë kritikë janë shprehur që SPAK punon për statistika dhe nuk trajton çështjet e “peshqve të mëdhenj”. Për ta do të kisha një pyetje: Nga viti 1990 deri në vitin 2019 sa dënime penale janë kryer me subjekt një ministër apo ish-ministër? Nga viti 1990 deri në 2019 sa kryeprokurorë janë dënuar penalisht? Në thelb, rezultatet janë numerikisht jo të mëdha për SPAK, për drejtësinë pararendëse janë nonekzistente.

Përtej elementit të kohës së funksionimit apo të statistikave, duhet analizuar edhe problematika e fluksit të punës së këtij institucioni. SPAK ka në kompetencat e parashikuara në nenin 75/a të Kodit të Procedurave Penale një mori veprash ku përfshihen elemente të anti-korrupsionit dhe të luftës ndaj krimit të organizuar. Tek ky element ne mund të vërejmë problematikat më të mëdha. Çdo person i dënuar në çdo vend të botës për vepra penale nga më të rëndomta është subjekt potencial i SPAK-ut, për sa kohë i është atashuar dënimit dhe kryerja e veprës në kuadrin e grupit kriminal. Pra, hipotetikisht, nëse tre shokë krijojnë një “grup kriminal” për të vjedhur shtëpi nëpër qytetet e Zvicrës, ata mund të dënohen si grup kriminal duke qenë se kanë patur më shumë se dy anëtarë dhe ndarje detyrash në kryerjen e veprës penale. Këta tre shokët janë ligjërisht po aq subjekte potenciale të SPAK sa një kryemafioz, një narko-trafikant në kërkim ndërkombëtar, apo një shtetar apo ish-shtetar i akuzuar për korrupsion. SPAK është tej mbushur me dosje që mbushin zyrat e secilit prokuror nga dyshemeja deri në tavan me grupe kriminale si tre shokët e sipërpërmendur, ndërsa çështjet e korrupsionit shtetëror dhe ligjor nuk marrin dot vëmendjen e duhur për shkak të mbingarkesës mbytëse të vuajtur nga prokurorët dhe stafi i këtij institucioni.

Për këtë arsye do të ishte e rëndësishme që fokusi i punës së SPAK, përmes ndryshimeve të akteve të fokusohet në korrupsioni shtetëror dhe organizatat kriminale të profilit të lartë. Kjo do kërkonte angazhim me ndryshim ligjor, të prokurorive të tjera në pjesën mbetëse të deritanishme të punës së SPAK.

Një tjetër element i rëndësishëm është presioni i jashtëzakonshëm i të fortëve, rretheve të tyre të krijuara prej favoreve dhe që përdorin partitë politike për sulme të rafinuara dhe mesazhe të koduara këtij institucioni. Deri dje kishim presion tërësisht të njëanshëm nga ana e opozitës e cila nuk kursente akuzat mbi “kapjen” e reformës apo duke shprehur dhe termat “Ramaforma” në përsëritje të vazhdueshme. Në javët e fundit vërehet shtimi i një presioni të konsiderueshëm nga mazhoranca përkundrejt këtyre institucioneve dhe specifikisht ndaj SPAK-ut, sapo ai institucion preku mega-aferën e parë qeveritare.

Implikimet e nënkuptuara të ankesës që mazhoranca ka ndaj SPAK-ut paraqesin një pretendim shumë shqetësues. Ky është pretendimi qe SPAK është institucion ose i kompromentuar nga e djathta (deputetit të së cilës sapo iu konfiskua e gjithë pasuria për një vepër penale të kryer nga i vëllai në 1993), ose e terrorizuar dhe e pafuqishme para saj. Nuk besoj se asnjë nga këto pretendime është i vërtetë. Për t’ju përgjigjur këtyre pretendimeve dhe ankesave, çështjet penale dhe hetimet e aferave komplekse korruptive kërkojnë kohën e tyre për marrjen e procedurave të kompletuara.

Në vijim, ndërhyrja politike për të kërkuar llogari SPAK-ut për procedimin të kundërshtarit politik e vështirëson masivisht procedimin e tij. Nëse SPAK realisht ka një çështje nën hetim lidhur me aktivitetin e ish-kryeministrit, në momentin që kryeministri dhe kundërshtari më i madh i tij politik kërkon me ngulm dënimin e tij, kjo e vështirëson vazhdimin e procedimit kundër tij pasi do të prodhonte aparencën që SPAK është mobilizuar me urdhër të kreut të ekzekutivit.

Institucionet e hetimit penal janë të pavarura, por edhe të përgjegjshme dhe të shpjegueshme përballë sovranit. Kjo do të thotë se deklaratat politike lihen mënjane dhe procedura ligjore përmes parlamentit vihet në veprim, për llogaridhënie.

Institucionet e drejtësisë, dhe specifikisht institucionet e prodhuara nga reforma në drejtësi duhet të lihen të veprojnë të lira, te paktën këto institucione të cilat janë universalisht të mbikëqyrura edhe nga faktori ndërkombëtar, i cili përherë thekson se në Shqipëri, askush nuk do të duhet të jetë mbi ligjin, për të pretenduar të jesh i pranueshëm në tavolinën e vendeve serioze.

Me përjashtim të faktit që është bërë një punë e gabuar (unë mendoj jo pa një qëllim) e mbingarkimit të këtyre institucioneve me çështje banale, të cilat nuk i përkasin, nuk vërehet një veprimtari e gabuar e këtyre institucioneve nga asnjë organ epror i drejtësisë, apo nga asnjë përfaqësues i huaj. Këto institucione janë mëse të afta për të goditur korrupsionin, në qoftë se mbrohen, zgjerohen, profesionalizohen dhe piqen. Mbi të gjitha ata duhet të çlirohen nga Hija e Të Fortëve të Paprekshëm me Spektër, që tmerrojnë çdo qenie në këtë vend. Ato nuk janë të kompromentuara as nga qeveria dhe partia në pushtet, as nga opozita. Rezultatet e tyre, ndonëse të pakta në numër sa i takon luftës ndaj korrupsionit, janë realisht premtuese në qoftë se tempi rritet dhe ecën me sistem nga lart poshtë. Reforma në drejtësi ka qenë një ndryshim po aq drastik për ritmet e një vendi me tarafe, sa edhe i nevojshëm i të tërë drejtësisë dhe për rrjedhojë shtetit shqiptar. Kjo reformë nuk duhet ndryshuar në thelb, por duhet përmirësuar për t’u bërë më efikase dhe më e shpejtë. Ajo nuk duhet kritikuar kaq ashpërsisht kaq herët, ajo thjesht duhet aplikuar, më saktë duhet ta lejojmë të aplikohet. Prokuroria e Posaçme, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Gjykata Kundër Korrupsionot dhe Krimit të Organizuar, janë respektivisht një prokurori, një strukturë hetimore dhe një gjykatë, dhe jo një trio gijotinash jakobiniste, ato duhet të lejohen të punojnë, të çlirohen nga Hija e Organizatave të Padukshme të të Plotfuqishmëve që buzëqeshin çdo ditë në publik.
* AVOKATE

Leave A Reply

Your email address will not be published.