Spiropali “sulmon” Bashën dhe i drejtohet SPAK-ut: Shihi mirë dosjet e vjetra, hiqua pluhurin

0 202

Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, foli me tone të ashpra nga foltorja e Kuvendit, teksa paralajmëroi se të gjithë do të dalin para drejtësisë.
Duke iu përgjigjur kryedemokratit Lulzim Basha për akuzat ndaj inceneratorëve, Spiropali tha se ato janë të domosdoshme për të pastruar Shqipërinë, pasi sipas tij, qeveria e mëparshme e kishte zhytur në plehra.

Mes të tjerash, ministrja Spiropali iu bëri thirrje organeve të drejtësisë që të hapin dosjet e vjetra të politikanëve, teksa u shpreh se “I bëjmë thirrje SPAK, prokurorisë, gjykatave, të shohin mirë ato dosje që janë aty, t’iu heqin pluhurin. E mbani mend besoj komisionin e CEZ, etj. T’i hapë drejtësia të gjitha, deri në fund”.

“Ka vetëm një arsye pse gjithçka që u tha këtu nga Basha është e pabesueshme për këdo që ka mend në kokë, sy për të parë e vesh për të dëgjuar. Mungesa absolute e koherencës në ato që thotë dje, ato që bën sot, ato që do të thotë nesër, është ulëritëse. Është i njëjti njeri që javë pas jave, muaj pas muaji e ditë pas dite, që përsërit që reforma në drejtësi është e kapur nga kjo shumicë, që i ka shërbyer kësaj shumice dhe që është një vegël në duart e tyre. Është po i njëjti njeri sot që flet për hetime nga institucionet që janë krijuar përmes vullnetit politik të kësaj shumice dhe të kryeministrit Edi Rama. Për të parë si është drejtësia sot, duhet të shohim si ishte drejtësia dje. Kush e mendonte në Shqipëri që kryebashkiakë, udhëheqës politikë, ministra apo drejtues të tjerë do viheshin kurrë në dyshim, le më të merreshin të pandehur e të dilnin para prokurorisë. Lulzim Basha është shembulli i gjallë se si, jo për këto afera që thotë ky e për numra që i përsërit se nga matematika nuk merr veshë, por për fakte e vjedhje ka shpëtuar vetë pikërisht për shkak të asaj drejtësie. Flet këtu për gishta e duar brenda e jashtë zullumit, ky që vetëm dy gishta ka larë dhe është i zhytur i gjithi brenda.

Ne lejuam të ngrihej komisioni për hetimin e procedurave për inceneratorët, por në fakt është për menaxhimin e mbetjeve, që ishin bërë mullar në këtë vend, sepse ju nuk keni pasur kurrë mendjen të pastronit Shqipërinë. E morëm këtë vendim për t’iu dhënë juve mundësinë, por edhe për të qenë transparencë, se ne nuk kemi gjë për të fshehur. As ju, dhe as znj. Tabaku, që është kthyer aty në prokurore, se ka merak mos e sulmojnë të sajët, deri sot ka qëndruar e heshtur, ndërsa sot ka dalë në ballë të betejës, duke shpallur njerëz fajtor. Po ku jemi këtu ne? Ne nuk çojmë njerëz në burg, atë e bën drejtësia. Jemi ndarë nga ai sistem, ku njerëz me pushtet qëndronin të pandëshkuar. Me sistemin e pandëshkueshmërisë, të kapjes së shtetit, neve nuk na lidh asgjë, siç ju lidhte juve kokë e këmbë. Ne kemi marrë vendimin për të çliruar këtë vend nga ju e zgjedha që kishit vënë mbi këtë pushtet kushtetues. Qytetarët e kanë bërë zgjedhjen politikisht dhe ju nuk i bindni dot. Zgjedhje pas zgjedhje ato ju kanë lënë juve opozitë gjithnjë e më të vogël, sepse ju jeni të pavërtetë në ato që thoni, sepse qëllimet tuaja janë për interesin tuaj. Sot që interesi juaj është i ndarë mes dy njerëzve, ju bëni garë se kush do shkojë më parë në burg. Coni letra prej hetuesi nëpër ambasada. Nuk e përcaktoni ju se kush shkon në burg, shkoni e përgjigjuni për ato që keni bërë. Patjetër që ky sistem drejtësie nuk është perfekt, jep shenja se mund të intimidohet, por po ndryshon. Por në fund, përtej këtij sistemi, është edhe gjykata e pagabueshme, vota e qytetarëve, që ju nuk e keni e nuk do ta keni.

Do vijë koha e përgjegjësisë për të gjithë, do ndahet shapi nga sheqeri. Askush nuk ja hedh dot, sepse në fund të gjykon sovrani, që i ka sytë në ballë. Për ne është e qartë, do vazhdojmë të qeverisim për të bërë të mira për këtë vend. Ashtu si dhe pastrimi i Shqipërisë është i domosdoshëm dhe duhet bërë. Këtë mundësi nuk na e hiqni dot ju. Të jeni të bindur, se pavarësisht sa komisione hetimore ngrihen, ne do të presim me shumë urtësi e mençuri derisa i fundit të marrë atë që meriton. I bëjmë thirrje SPAK, prokurorisë, gjykatave, të shohin mirë ato dosje që janë aty, t’iu heqin pluhurin. E mbani mend besoj komisionin e CEZ, etj. T’i hapë drejtësia të gjitha, deri në fund. Ky është synimi ynë, drejtësia për të gjithë”, tha Spiropali.

Leave A Reply

Your email address will not be published.