Sugjerim dashamirës për familjen Nishani

0 48

Nga Altin Ketro

Fillimisht nëpërmjet këtij shënimi dëshiroj t’i përcjell familjes Nishani, ngushëllimet e mia për ndarjet e parakohshme nga jeta të njeriut të tyre të shtrenjtë.

Ajo që më nxiti të bëj këtë shënim është njohja me programit e ceremonisë që do të zhvillohet për nder të tij. Sipas programit të shpallur, trupi dhe homazhet për të ndjerin president Nishani do të bëhen në sallën “Skënderbeu” në selinë e Presidentit të Republikës.

Pavarësisht dëshirës dhe vullnetit të mirë të organizatorëve për ta nderuar presidentin Nishani në po atë godinë ku ai ushtroi për 5 vjet detyrën e kryetarit të shtetit, gjykoj se ceremoni nuk duhet të zhvillohet në atë institucion për këto arsye:

Së pari, në selinë e presidencës mund të vendoset arkivoli dhe të bëhen homazhe vetëm kur Presidenti i Republikës ndërron jetë gjatë ushtrimit të detyrës. Krijimi i precedentit me presidentin Nishani, do të thotë që të gjithë ish-presidentëve të tjerë do duhet t’u kryhen homazhe në po të njëjtën seli kur të ndahen nga jeta.

Së dyti, selia e presidencës është institucion i rëndësisë së veçantë dhe ruhet me rregullore të rreptë nga Garda e Republikës. Zhvillimi i ceremonisë mortore aty, do krijojë shumë probleme, sidomos për vizitorët që duan të bëjnë homazhe sepse duhet të kalojnë nëpër filtra sigurie të punonjësve të Gardës, gjë që e shoh si një pengesë bezdisëse për të dyja palët, gardistë dhe vizitorë.

Së treti, personaliteti i fundit i lartë që ka dalë me arkivol nga ajo godinë është trupi i ish-diktatorit Enver Hoxha. Të gjithë e mbajmë mend vargun e gjatë me vizitorë që niste nga selia e presidencës dhe përfundonte tek sheshi “Skënderbej”. Një miniaturë e tillë mund të përsëritet edhe për ceremoninë e presidentit Nishani, duke na sjellë ndërmend reminishenca të të kaluarës. Duke qenë se presidenti Nishani i përket krahut të djathtë të politikës, nuk më duket etike që trupi i tij të rrijë në të njëjtën sallë dhe të dalë nga po e njëjta seli si e ish-diktatorit Hoxha.

Atëherë, cila do ishte zgjidhja sipas meje? E ku tjetër sesa holli kryesor i Pallatit të Kongreseve i cili, për fat të mirë, është fiks përballë selisë së presidencës. Ai pallat të jep mundësinë që edhe vizitorët të jenë më të lirshëm për homazhe, po edhe Garda të mos ketë shumë impenjim, sepse shmangen ato probleme që përmenda në pikën 2.

Në rast se familja e presidentit Nishani do ketë mundësinë ta lexojë këtë shënim, besoj se do të më mirëkuptojë dhe do e marrë në konsideratë, duke kërkuar ndryshimin e vendit të ceremonisë, nga Selia e Presidencës, në hollin kryesor të Pallatit të Kongreseve.

Edhe njëherë, ngushëllime familjes, miqve dhe dashamirësve të presidentit të ndjerë Bujar Nishani.

Leave A Reply

Your email address will not be published.