Takimi me Haradinajn, Basha: Dialogu Kosovë-Serbi, duhet koordinimi mes SHBA dhe BE

0 310

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ndodhet në një vizitë dy ditore në Kosovë. Këtë pasdite, Basha është pritur nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Basha tha se gjatë bisedës vëllazërore shkëmbyen ide dhe mendime në lidhje me situatën që po kalojnë Shqipëria dhe Kosova.

Temë e diskutimit të tyre ishte edhe dialogu Kosovë-Serbi, që sipas Bashës është i domosdoshëm koordinimi mes partnerëve strategjikë SHBA dhe BE në këtë proces, i cili si produkt final duhet të ketë njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

“Diskutuam për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e një koordinimi mes partnerëve tanë strategjik SHBA dhe BE në këtë proces, i cili si produkt final duhet të ketë njohje reciproke mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Ndamë të njëjtin qëndrim se tërësia territoriale e Kosovës, e cila u fitua me gjak është e panegociueshme dhe e padiskutueshme. Ndamë mendime të vyera për mënyrat e bashkëpunimit dhe ndihmës që duhet dhe mund të japë Shqipëria në këtë proces, por në asnjë rast ajo nuk mund dhe nuk duhet të flasë në emër të Kosovës. Folëm për sfidat ekonomike që kanë përpara të dy vendet tona, për projekte të përbashkëta që do t’i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe punësimit. Folëm konkretisht për disa projekte mes të cilave edhe ato që mundësojnë akses konkret, dhe jo në letër të Kosovës në portet shqiptare. Në këto ditë të vështira për ekonominë dhe turizmin shqiptar, janë qytetarët e Kosovës që po ndihmojnë operatorët turistikë, dhe po i japin sado pak frymëmarrje ekonomisë dhe ndjehem i keqardhur që në këto ditë të vështira edhe për ta, u duhet të paguajnë tarifën në Rrugën e Kombit. Përsërita zotimin time se kjo rrugë që i afron shqiptarët nuk mund dhe nuk do t’i pengojë më tarifa të lëvizin lirisht në të dy anët e kufirit”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.