Të burgosur në kampin Al-Hawl, çifti i gjyshërve kërkon kthimin e nipit dhe mbesave

0 334

Çifti i gjyshërve, Dylberi dhe Asija, për asnjë ditë nuk i humbin shpresat te Zoti, se do të bashkohen me nipin dhe mbesat, të cilët janë të burgosur në kampin Al-Hawl në Siri. Mes pleqërisë e cila rëndon në supet e tyre, pesha e mallit bëhet edhe më e rëndë. Dylberi tregon se djali dhe nusja, së bashku me tre fëmijët e tyre ikën pa e lajmëruar në fshehtësi drejt Sirisë.

Ndërsa tani, nipi dhe mbesat kanë mbetur të vetëm në kampin Al-Hawl, pasi prindërit u janë vrarë. Tentativa e nuses për të ikur nga kampi Al-Hawl dhe për t’u kthyer në Shqipëri së bashku me vajzat duket se i ka marrë jetën.

Lotët e mbesave dhe ankesat e tyre nga kampi Al-Hawl bëjnë Asijen të përlotët sa herë që i përmend. Si shumë herë gjatë këtyre 7 viteve, Asija nuk lodhet të lutet sërish tek autoritetet shqiptare që t’i kthejë mbesat e saj të mitura në shtëpi.

Gjatë konferencës me gazetarët, Presidenti Ilir Meta u pyet për fatin e shqiptarëve që ndodhen të burgosur në kampin Al-Hawl, në Siri. Kreu i Shtetit tha se nuk do që të japë detaje, pasi sipas tij kjo është një çështje mjaft sensitive dhe nuk mund të trajtohet në publik.

”Kjo është një çështje mjaft sensitive. Për shkak të specifikave që ka nuk mund të trajtohet në publik. Ky ka qenë një shqetësim i madh për mua. Pata fatin të takoj Alvin dhe Afrim Berishën, që për fat të mirë iu rikthye djali dhe shpresojmë që të gjithëve t’iu rikthehen të afërmit e tyre, por kjo punë nuk shpjegohet në publik”, theksoi kreu i shtetit.

Leave A Reply

Your email address will not be published.