Të premten nis muaji i Ramazanit/Bica: Falja dhe iftaret në shtëpi

0 326

Të premten nis muaji i Ramazanit dhe këtë vit, besimtarët do të konsumojnë iftaret dhe faljen në shtëpi. “Ne jemi të detyruar që këtë muaj të Ramazanit ta jetojmë pak ndryshe, pavarësisht se na qan zemra nga ajo atmosferë që kemi pas kaluar në vitet e mëpërparshme”. Është ky përjetimi i nën kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Taulant Bica. Ai shton se agjërimi i Ramazanit është personal ndërsa plotësimet e tjera si lutjet e përbashkëta në xhami si dhe iftaret janë rituale që do të kryhen individualisht në shtëpi duke e kthyer atë folenë e mirëfilltë ku jetohet feja e zotit.

“Në xhamitë e Shqipërisë ezani dhe kohët e namazit do të thërriten normalisht. Agjërimi është diçka që njeriu e bën personal ndërsa plotësimet e tjera si falja e teravive dhe lutjet e përbashkëta në xhami do të jenë rituale të cilat do të kryhen individualisht ose me familjarët tanë në shtëpi. Është një gjendje që me të vërtetë e vuan çdo mysliman shpirtërisht, por nëse nuk do të kemi shëndetin edhe pas ikjes së kësaj situate nuk do të mund të adhurojmë zotin”.

Muaji i Ramazanit është muaji më i shenjtë i besimtarëve myslimanë, i cili fillon më 24 prill, ku të gjithë agjërojnë sipas Sheriatit, Ligjit Islamik. Besimtarët agjërojnë për 30 ditë nga mëngjesi, përmbahen nga pirja e ujit, pirja e duhanit, marrëdhëniet seksuale. Në mbrëmje, pas thirrjes së Ezanit, thyerja e agjërimit festohet me një vakt të thjeshtë ngrënieje që në termin fetar njihet si iftari.

Leave A Reply

Your email address will not be published.