Tensione dhe polemika në seancë, Gjykata jep vendimin për Fjolla Morinën

0 400

Gjykata e Kukësit, në seancën që ishte me tension dhe me shumë polemika, ka dhënë masën e sigurisë ”arrest shtëpie” për këngëtaren Fjolla Morina. Në çantën e saj u gjendën dy armë. Për dy miqtë e saj, Fisnik Syla dhe Fitim Muji për të cilët vetë këngëtarja ka thënë se ishin thjeshtë shoqëruesit e saj, gjyqtarja Merita Karaj ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”.

E “braktisur” nga familja dhe fansat, Morina mëngjesin e kësaj të marte zbriti pa pranga nga furgoni i policisë, ndryshe nga dy djemtë që u arrestuan me të në makinë, të cilët ishin të prangosur. Me syze dielli, maskë në fytyrë si masë kundër Covid-19, flokët e kapur gërshetë dhe një fustan të gjatë, ajo u paraqit në Gjykatën e Kukësit.

Në mbrojtjen e paraqitur në gjykatë, avokatja Aurora Guska ka thënë se armët e gjetura në çantë të këngëtares nuk janë armë zjarr por njëra është pistoletë që përdoret për të trembur qentë dhe tjetra çakmak. ”Kjo pistoletë nuk është armë zjarri, por pistoletë që përdoret për të trembur qentë apo kafshët e egra dhe për të dhënë sinjal në rast rreziku pasi bën zhurmë dhe qëllimi i përdorimit është në sport dhe ndryshe është pistoletë zhurmuese, ndërsa tjetra është çakmak”, thotë avokatja.

Ndryshe nga sa u pretendua se ajo ishte 2 muajshe shtatzënë, një ritestim i kërkuar me detyrim nga prokuroria për të hequr dorë nga kërkesa për masën e sigurisë “arrest me burg”, solli një tjetër zbulim. Shtatzënia e Morinës nuk ekziston! Pas debatit në seancë mes prokurorit dhe mbrojtjes, u vendos nga Gjykata që Morina të ridërgohej tek gjinekologu në Kukës për të konfirmuar se këngëtarja ishte shtatzënë, në mënyrë që të vendosej një masë sigurie më e lehtë. Ekspertiza zbuloi se Fjolla Morina nuk ishte shtatzënë dhe se e gjitha dyshohet se ka qenë një alibi për të shpëtuar nga burgu. Ndërkohë që gjinekologu që ka lëshuar ekografinë e parë të rreme në gjykatë është arratisur drejt Kosovës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.