Tërmeti nuk “trazon” tregjet. Ulen sërish yield-et e bonove 12 mujore

0 401

Normat e interesit të bonove 12 mujore të qeverisë shqiptare ranë sërish në ankandin e kësaj jave. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se bonot 12 mujore u shitën me një yield mesatar të ponderuar prej 1.69%, nga 1.85% që kishte qenë ky tregues në ankandin e fundit, që ishte zhvilluar në fillim të nëntorit.

Vijimësia e tendencës së uljes së interesave në tregun primar të bonove qeveritare është një tregues domethënës se pasojat e tërmetit të 26 nëntorit deri tani nuk kanë dhënë efekte shqetësuese në sistemin financiar. Fakti që investitorët dhe kryesisht bankat tregtare kanë ofruar çmime edhe më të ulëta për të financuar borxhin qeveritar dëshmon se në thelb tregu nuk percepton ndonjë rritje të rrezikut nga blerja e këtyre instrumenteve.

Ky sinjal është shumë i rëndësishëm në kushtet kur buxheti i shtetit ka marrë përsipër barrën e madhe financiare të dëmeve të tërmetit. Mes kostove për strehimin e të dëmtuarve dhe rindërtimit apo riparimit të banesave dhe objekteve të tjera të prekura, fatura pritet të shkojë në qindra milionë euro.

Përveçse sinjal besimi në një moment delikat, ruajtja e normave të ulëta të interesit në këtë fazë mund të jetë një element i rëndësishëm për të ndihmuar procesin e rindërtimit. Megjithëse qeveria deri tani nuk parashikon të rrisë deficitin dhe borxhin si rrjedhojë e situatës së krijuar, interesat e ulëta ndihmojnë në kontrollin e shërbimit të borxhit të planifikuar.

Gjithashtu, interesat e ulëta të titujve qeverisë, si investimi ‘benchmark’ për monedhën vendase, kanë një ndikim edhe normat e interesit për kreditë dhënë sektorit privat. Kredia e lirë në këtë situatë do të jetë mbështetje për aktivitetet e lidhura me ndërtimin e banesave, por në tërësi edhe një stimul për aktivitetin ekonomik, që të paktën në afatin e shkurtër do të pësojë efekte negative nga goditja e tërmetit.

/SCAN

Leave A Reply

Your email address will not be published.