“Topi në fushën e Bashës”, Presidenti Meta: Mesazhi im për opozitën

0 387

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dalë edhe këtë të premte në komunikimin javor me mediat, për qëndrimin e tij në lidhje me çështjet e aktualitetit politik. Teksa foli për emrin e propozuar nga ai për kreun e KLSH, kreu i shtetit tha para gazetarëve se i ka thënë Arben Shehut që të mos i bindet asnjë urdhëri.

“Këtë javë ktheva ligjin për shërbimet e pagesave. Shpresoj që Kuvendi të reflektojë. Këtë javë patëm një komunikim me Kuvendin për emetimin e eurobondit të ri. Shuma dhe nxitimi pa u konsultuar me të gjithë aktorët më detyruan që të jepja pëlqimin për hyrjen në fuqi menjëherë. Kreut të KLSH-së i kërkova që të mos i bindet asnjë urdhri apo akti që mund të cenojë këtë institucion. Kuvendi të gjykojë me objektivitet kandidaturën”.

Meta foli edhe për çështjen e nxehtë që është Reforma Zgjedhore. Ai tha se opozita tha se hoqi dorë nga kushti për qeveri transitore. ”Nuk kam qenë pjesë e diskutimeve dhe nuk e shoh të arsyeshme që të bëhem, apeloj për konsensus sa më të shpejtë, është detyrim për qytetarët shqiptarë që të kenë sa më shumë siguri që vota e tyre do të jetë e lirë dhe e barabartë. Është detyrim ndaj procesit të integrimit, data 8 qershor është shumë e rëndësishme dhe shpresoj që të arrihet sot, nesër apo ditët e ardhshme, që KE të shënojë një rezultat pozitiv. Duket se ka një progres, dhe duket se cështja ka mbetur për mirëbesim te disa aspekte dhe elementë që kurrësesi nuk duhet të rrezikojnë konsensusin. Opozita nuk ka vendosur si kusht një qeveri transitore dhe mendoj se mospasja e një kushti të tillë e bën konsensusin të mundshëm. Shpresoj që të kemi një lajm pozitiv sa më shpejt”.

Gjatë konferencës me gazetarët, kreu i shtetit, Ilir Meta ka zbuluar sot para medias mesazhin e qartë që ai ka për opozitën e bashkuar, ndërkohë që ndodhemi vetëm pak ditë larg nga provimi i 8 qershorit, lidhur me procesin e integrimit te vendit ne BE.

”Besoj se mesazhet kanë qenë të qarta. Mesazhi im për opozitën është që të jetë e qartë, të unifikojë kërkesat e saj dhe të bëjë maksimumin për konsensusin, të koordinohet ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, sidomos me Komisionerin për Zgjerimin dhe Bundestagun gjerman, se atje shikohen me vëmendje reformat, por jo thjesht ana formale e sipërfaqesore e tyre, po ajo thelbësore dhe cilësia e tyre. E rëndësishme është që të gjithë të tregojnë vullnet për zgjedhje të lira e ndershme, e të mos intimidojnë qytetarët as me arrogancën e tyre dhe as me hezitimet e tyre”.

Leave A Reply

Your email address will not be published.