Tronditje në Kosovë, Albin Kurtit nuk i lejohet të garojë në zgjedhje

0 181

Albin Kurtit nuk do t’i lejohet të garojë në zgjedhje për shkak të problemeve me ligjin. Kurti ishte dënuar në janar të vitit 2018 për dy vepra penale: përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ndërsa në shtator të po atij viti Apeli ia vërtetoi këtë dënimin.

Me këto vepra përshkruheshin veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, si pasojë e të cilave, liderit të LVV-së i është pamundësuar kandidimi në listë zgjedhore. Përveç kreut të LVV, Albin Kurti, burime të Top Channel bëjnë me dije se në mesin e 47 kandidatëve për deputet që kanë dënime me vendim të formës së prerë janë edhe Albulena Haxhiu dhe Labinot Ademi. 10 të tjerë janë nga Nisma Socialdemokrate.

Qytetarët e Kosovës do të duhet të dalin në zgjedhje për herë të dytë brenda një viti e gjysmë. Kështu ka urdhëruar Gjykata Kushtetuese më 22 dhjetor përmes një aktgjykimi. Kjo gjykatë kishte gjetur parregullsi në votimin e Qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti, i cili e mori detyrën e kryeministrit në qershor. Ndërkohë së fundmi Kurti kishte bërë zyrtare edhe faktin që ai dhe Vjosa Osmani do garonin në një listë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.