Ukraina thotë se Rusia nuk po e respekton armëpushimin e përkohshëm

0 169
Ukraina thotë se forcat ruse po vazhdojnë të bombardojnë rrugët për të cilat ishte rënë dakord të përdoreshin si korridore evakuimi për të dalë nga Mariupol si dhe vetë qytetin, duke thyer një armëpushim që duhej të hynte në mëngjes.

Zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Igor Konashenkov kishte thënë se “sot, 5 mars, nga ora 10:00 e mëngjesit me orën e Moskës (08:00 sipas kohës së Evropës Qendrore), pala ruse shpall një armëpushim dhe hapjen e korridoreve humanitare për të lejuar civilët të largohen nga Mariupoli dhe Volnovakha. Korridoret humanitare dhe rrugët dalëse janë rënë dakord me palën ukrainase”.

Por zyrtarët e Mariupolit thanë se po shtyjnë planet e evakuimit dhe u kërkuan banorëve të strehohen. Rrugët e evakuimit ishin planifikuar të ishin të hapura për pesë orë si për autobusët ashtu edhe për makinat private.
Autoritetet në këtë qytet thanë evakuimi i civilëve u shty pasi forcat ruse që rrethojnë qytetin nuk po respektojnë armëpushimin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se forcat ruse “po përdorin gjithnjë e më shumë metoda brutale në Ukrainë, duke përfshirë sulmet ndaj popullatës civile”.

Shërbimet britanike të zbulimit thanë se shkalla e sulmeve ajrore dhe artilerisë ruse në Ukrainë gjatë 24 orëve të fundit ka qenë më e ulët, por forcat ruse besohet se po përparojnë në jug të vendit.

“Ukraina vazhdon të mbajë qytetet e rëndësishme Kharkiv, Chernihiv dhe Mariupol”, tha ministria britanike e Mbrojtjes në Twitter herët të shtunën. “Ka pasur raporte për luftime në rrugë në Sumy. Ka shumë të ngjarë që të katër qytetet të jenë të rrethuara nga forcat ruse”.

Ministria tha se forcat ruse me gjasë po përparonin në qytetin port jugor të Mykolaivit dhe ekziston një mundësi reale që disa forca të përpiqen të anashkalojnë qytetin për t’i dhënë përparësi përparimit të tyre drejt Odesës.

Leave A Reply

Your email address will not be published.