Unioni i Gazetarëve Shqiptarë: Gjyqi ndaj gazetares Juli Ristani, akt intimidues dhe presioni

0 473

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, ka reaguar për procesin gjyqësor që është hapur ndaj gazetares Juli Ristani dhe ndaj dy portaleve, nga shefja e kabinetit të Ministrisë së Mbrojtjes, pas publikimit të artikullit nga gazetarja me titull “Rasti “Gaçeni” dhe skandali me manipulimin e bursave të NATO-s”. Sipas Unionit, padia tregon se kemi të bëjmë një akt intimidues dhe presioni. ”Unioni i Gazetarëve Shqiptarë deklaron se do ta ndjekë me përparësi këtë proces gjyqësor të iniciuar nga zyrtarja në fjalë, ndaj një gazetareje profesioniste dhe se e konsideron këtë një proces që cënon rëndë imazhin e marrëdhënieve mes gazetarëve, mediave dhe nëpunësisë së administratës publike të vendit”,-thuhet më tej në reagimin e Uninionit të Gazetarëve Shqiptarë.

Deklarata e plotë e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë

Kundër padisë së shefes së Kabinetit të Ministrit të Mbrojtjes ndaj gazetares Juli Ristani dhe dy mediave.

Tiranë më 1 12.2020

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë po ndjek me shqetësim një proces të iniciuar nga Shefja e Kabinetit të Ministrit të Mbrotjes, zonja Belioza Çoku ndaj gazetares së njohur Juli Ristani (Mezini) për shkak të publikimit të një shkrimi me titull “Rasti “Gaçeni” dhe skandali me manipulimin e bursave të NATO-s”, nga Ministria e Mbrojtjes, i publikuar më 6 gusht e në vazhdim nga gazeta Shqip dhe Boldnews.com.

Qysh prej botimit të shkrimit nga gazetarja me përvojë të gjatë dhe kontribuese në gazetarinë e raportimit dhe atë të investigimit, reagimet e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe vënia në lëvizje e gjykatës përmes padisë, përbëjnë një akt intimidues dhe presioni mbi raportimin e lirë të gazetares dhe mediave të përfshira në këtë publikim.

Gazetarja Juli Ristani për përgatitjen e këtij raportimi është ndshur me vështirësi dhe pengesa të shumta deri edhe me presione të hapura. Në përballje me vështirësitë e prononcimeve të munguara zyrtare dhe problemeve të hasura për vënien në dispozicion të dokumentacionit dhe informacionit rreth procedurave dhe kritereve të ndjekura në rastin e aplikimit të bursave të NATO-s nga përfaqësuesit e administratës së Ministrisë së Mbrojtjes, ajo i është drejtuar përmes redaksisë së Shtyp-it me një shkresë për ndërhyrje edhe Komisionerit për të Drejtën për Informim.

Ndërkohë që përgjatë procesit të mbledhjes të të dhënave dhe prononcimeve zyrtare, gazetares i janë dashur gati tre muaj pritje dhe durim, ç’ka bie ndesh me afatet ligjore të parashikuara në legjislacionin shqiptar.
Unioni I Gazetarëve Shqiptarë mëson se në fund të muajit nëntor të vitit 2020, në adresë të gazetares Juli Ristani dhe dy mediave Shqip dhe Boldnews.com, vjen thirrja e gjykatës për vënien nën padi nga zyrtarja e Ministrisë së Mbrojtjes, e cila kërkon dëmshpërblim.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë shpreh keqardhjen se në këtë proces është përfshirë edhe Agjencia e Inteligjencës së Shërbimit të Mbrojtjes, jo për të hetuar përgjegjësit, por se si “rrodhi” dokumenti, të cilin gazetarja e ka bërë pjesë të raportimit të thelluar të rastit. UGSH e denoncon këtë padi si një akt të pastër presioni ndaj raportimit të lirë, ndaj pengesave dhe vështirësive për respektimin e ligjit për të drejtën për informim dhe cungimit të transparencës publike prej administratës publike, përfshi edhe atë të Mbrojtjes.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë deklaron se do ta ndjekë me përparësi këtë proces gjyqësor të iniciuar nga zyrtarja në fjalë, ndaj një gazetareje profesioniste dhe se e konsideron këtë një proces që cënon rëndë imazhin e marrëdhënieve mes gazetarëve, mediave dhe nëpunësisë së administratës publike të vendit.

Zyra e Shtypit

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Leave A Reply

Your email address will not be published.