Vajzat dhe gratë, mbahen peng në Al-Hawl. SPAK merr në pyetje Floresha Rashën

0 350

Shpëtimi i pesë shqiptarëve nga kampi i ferrit në Siri, është një rreze drite që në të ardhmen do të prekin tonën mëmë edhe shqiptarët e mbetur në Siri. Pikëpyetjet janë të shumta, pasi Eva dhe Endrit Dumani, motër e vëlla që prej 7 vitesh u morën nga babai i tyre, u ndanë pak ditë më parë, pasi e mitura refuzon të dalë nga kampi Al-Hawl. Deri më tani informacionet janë se ka disinformim të madh dhe frika e këtyre të rejave në Al-Hawl është e madhe, aq sa egzistenca për jetën. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, thotë se kërkimet në këtë kamp do të vijojnë për ata që nuk kanë kryer kime apo akte terroriste. Sipas ministrisë, finalizimi i këtij operacioni të rëndësishëm humanitar u bë i mundur falë bashkëpunimit, profesional e serioz si dhe mbështetjes së pakursyer të autoriteteve Libanit, Sirisë dhe atyre Administratës Autonome të Sirisë Veriore dhe Lindore.

”Qeveria e Republikës së Shqipërisë shpreh falënderimet më të sinqerta për bashkëpunimin dhe mbështetjen e autoriteteve dhe agjencive të tjera të përfshira në këtë operacion si dhe shpreh besimin se ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen për të mundësuar kthimin në Shqipëri të të gjithë fëmijëve shqiptarë apo edhe personave të tjerë të cilët nuk kanë kryer krime apo akte të tjera terroriste. Kthimi i fëmijëve dhe i personave të tjerë të pa përfshirë në akte kriminale apo terroriste është një detyrim humanitar i rëndësishëm, por edhe një kontribut i çmuar në luftën e përbashkët kundër terrorizmit”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Rikthimi i Floresha Rashës nga kampi i ferrit në Siri, pritet që të zbardhë shumë detaje. Mësohet se SPAK do të marrë në pyetje të riatdhesuarën Rasha. Përmes marrjes në pyetje, struktura e posaçme do të tentojë të mësojë emrat e personave që i kanë ndihmuar për të kaluar drejt Sirisë. Ajo ndodhet në karrocë me rrota dhe është e veja e Diamant Rashës nga fshati Sllovë i Dibrës , i cili në Shqipëri punonte si shpërndarës picash, por kur shkoi në Siri, u njoh me emrin “Ebu Amar”. Diamanti kishte frekuentuar xhaminë tek ”Unaza e Re në Tiranë”, por shkoi të luftonte për ISIS më 16 janar 2013 dhe me vete mori edhe familjen.

Ai u nis nga Tirana për në Stamboll dhe më pas përfundoi si ushtar i Shtetit Islamik. Në vitin 2014 ai u ekzekutua me snajper. Pas kësaj ngjarjeje, Floresha Rasha kërkoi të kthehej në Shqipëri, po xhihadistët e bllokuan bashkë me fëmijët. Në vitin 2015, Shaban Rasha, babai i viktimës dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, në procesin gjyqësor në ngarkim të imamëve dhe besimtarëve të akuzuar për rekrutim të personave për vepra terroriste. Shabani u shpreh krenar për djalin e tij dhe faktin se kishte rënë në luftë. Pas vrasjes së Diamantit, Floresha dyshohet se ka patur edhe dy fëmijë me kreun e luftëtarëve shqiptarë në ISIS, Lavdrim Muhaxheri, ndërsa një prej fëmijëve është vrarë gjithashtu në luftë.

Drejtori i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, Bedri Elezi, thotë se vijojnë përpjekjet për kthimin e shqiptarëve që kanë mbetur në këtë kamp ferr. ”Ne kishim informacione se edhe ata shqiptarë që ishin vendosur në kampe të lëviznin në aeroportin e qytetit të Libanit e më pas në Tiranë, por pas informacioneve të bëra publike edhe nga autoritetet shqiptare, si duket operacioni është shtyrë për në ditët në vijim. Akoma nuk i dimë arsyet […] presim ndërkohë të kemi kontakte me autoritetet e kampit që të konfirmojmë pretendimet nëse mbi 40 persona kanë lëvizur që aty, apo jo”,- tha Elezi duke shtuar se nga grupi i shqiptarëve që mendohet se kanë mbetur në kampe, kryesisht janë fëmijë, por ka edhe të moshuar.

Për më tepër, Elezi nënvizon se organizata e tij dhe grupet e tjera të kontaktit parapëlqenin më shumë ndjekjen e vijës amerikano-kurde, e cila konsiderohet më e sigurt. ”Kjo vijë është më e shpejtë, më e sigurt. Mund të shkohet përmes Al-Holit në Erbil [kryeqyteti i Kurdistanit, në Irak] dhe nga Erbili në Tiranë. Këtë rrugë e kanë ndjekur edhe gazetarë dhe kështu besojmë se mund të marrim edhe personat e tjerë më lehtë se rruga e ndjekur nga kampi në Damask dhe më pas Liban”,- tha më tej. Hamendësohet se në kampin Al-Hawl, janë mbi 70 shqiptarë dhe rreth 40 të tjerë jashtë kampeve siriane, kjo pasi këta i përkasin një tjetër fraksioni të angazhuar në luftën civile që përfshiu Sirinë prej fillimit të vitit 2011.

Dje pas mbërritjes nga Siria, me shqiptarët e riatdhesuar, kryeministri Edi Rama i pyetur nëse personat madhorë të riatdhesuar do të ndiqen penalisht, u shpreh se “kush ka bërë krime do t’i nënshtrohet drejtësisë”. Rama sqaroi se shteti shqiptar po ndjek “këdo që është shtetas i Republikës i Shqipërisë, pavarësisht moshës”, duke lënë të kuptohet se është shumë e ndërlikuar përpjekja për largimin nga Siria të personave me kombësi shqiptare, por shtetas të vendeve të tjera.

Leave A Reply

Your email address will not be published.