Vatra e re e koronavirusit është një fasoneri në Krujë, reagon selia blu

0 25

Përmes një deklarate të bërë nga ish-deputetja Oriola Pampuri, Partia Demokratike akuzon se përkeqësimi i situatës me fasoneritë është një dështim i qeverisë, pasi ato duhet të ishin mbyllur që në momentet e para.

Deklarata e PD, nga ORJOLA PAMPURI:

Të dhënat zyrtare konfirmojnë shqetësimin e Partisë Demokratike se mbajtja hapur me kokëfortësi e fasonerive i ka kthyer ato në vatra të rrezikshme të përhapjes së infeksionit.

Në Krujë, sot ka më shumë të infektuar se dje. Janë 18 persona të tjerë që kanë rezultuar pozitiv. Të gjithë punonjës fasonerie, kryesisht gra dhe vajza. Urojmë që të dhënat të pasqyrojnë realitetin dhe virusi të mos jetë përhapur akoma më shumë, por edhe kaq sa është, kemi një situatë shumë problematike.

Brenda pak ditësh, një person i vetëm ka kontaminuar 86 të tjerë, duke na faktuar 3 gjëra të rëndësishme:

1. Se virusi ka aftësinë të përhapet me shpejtësi

2. Se fasoneritë, si vend me perqendrim të lartë, janë vendi ideal për përhapjen e virusit.

3. Se qeveria është përgjegjësja kryesore për situatën e krijuar.

Qeveria duhet të kishte mbyllur fasoneritë që në momentin e parë të shpërthimit të epidemisë. Ne ia kërkuam këtë, bizneset kanë mbajtur të njëjtin qendrim, por Edi Rama ka kundërshtuar me kokëfortësi, pa dhënë asnjë argument.

Rezultati i kësaj vendimarrje të gabuar është 86 persona të infektuar me koronavirus vetëm nga një kontakt që punon në një fasoneri në Krujë.

Ne ishim atje, kemi parë kushtet, kemi biseduar me sipërmarrësit dhe me punonjësit. Është e pamundur që në një mjedis të tillë aq të vogël të ruhet distanca sociale dhe të respektohen standardet e kërkuara.

Gjobat ndaj bizneseve të fasonerive, që punësojnë rreth 70 mijë gra e vajza është mënyra e gabuar për të menaxhuar situatën. Duhet mbyllja e tyre, e shoqëruar me një mbështetje financiare. Sa më shpejt, aq më mirë!

Është e pandershme nga ana e Edi Ramës që përdor dy standarde të ndryshme për të njëjtën situatë. Për sigurinë e vetes, të familjes dhe bashkëpunëtoreve të tij, Rama përdor komunikimin online, ndërsa mijëra gra e vajza, si dhe familjet e tyre i ka lënë nën terrorin psokologjik të infeksionit në vendet e punës.

Ka vetëm një arsye pse Edi Rama është i gatshëm të luajë bixhoz me jetën dhe shëndetin e 70 mijë nënave dhe motrave. Ai nuk do që të sakrifikojë nga paratë që ndan me një grusht oligarkësh për disa koncesione korruptive. Anullimi i pagesave për inceneratorët, Tiranës, Fierit dhe Elbasanit mbulon koston e pagesës minimale për 70 mijë gra e vajza të fasonerive.

Ndihmon që virusi të mos përhapet dhe biznesi të mos falimentojë.

Ne nuk do të lodhemi duke e përsëritur këtë gjë. Për ne është e rëndësishme që të ndërpritet zinxhiri i infektimeve. Që 18 personat e infektuar në Krujë, në Kurbin, në Shkodër, në Durrës e kudo ku ka fasoneri të mos bëhen 28, 48 apo 248.

Shqiptarët nuk e meritojnë ta paguajnë kaq shtrenjtë dështimin spektakolar të një qeverie dhe një kryeministri që kujdesen vetëm si të ruajnë paratë e vjedhura me koncesione dhe tendera sekrete.

Partia Demorkatike do të ketë më vonë një denoncim tjetër ku sjell fakte të një skandali të madh e të rrezikshëm për shëndetin me tenderat sekretë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.