Veliaj mbyll fushatën e PS në Rrogozhinë: Edison Memolla, fuqi fantastike për të ecur përpara dhe për t’i bashkuar njerëzit

0 178

Në takimin që mbylli fushatën për zgjedhjet e 6 Marsit në Rrogozhinë, drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj bëri thirrje për mbështetje masive ndaj kandidatit socialist, Edison Memolla, si njeriu i përkushtuar për të bërë më shumë punë për komunitetin. Ai përgëzoi kandidatët e PS-së, jo vetëm në Rrogozhinë, por edhe në 5 njësitë e tjera vendore ku do zhvillohen votimet të dielën, për zhvillimin e një fushate të qetë dhe qytetare, larg sherreve dhe debateve.

“Kjo ishte një fushatë vërtet e shkurtër, por ka qenë një fushatë me njerëz që i kemi takuar ballë për ballë, ndryshe nga fushata me tam-tame që bëjnë kundërshtarët. Ne nuk jemi nga ata që hipin mbi “JEEP”-a e makina, duke tundur flamujt e duke i nxjerrë sytë me gishta njëri-tjetrit. Ne jemi njerëz që flasin zemër me zemër, sy më sy, duke i parë të tjerët përballë e duke u thënë: ‘Nuk jemi perfektë sepse nuk ka asnjeri perfekt, por kjo forcë, ky komunitet, ky kandidat, këta deputetë, janë një fuqi fantastike për zhvillim, për të ecur përpara, për t’i bashkuar njerëzit,” tha Veliaj.

Ai nuk ka lënë pa përmendur faktin se si Partia Demokratike dhe Shtëpia e Lirisë, edhe në këto zgjedhje lokale, po luftojnë për pushtetin e liderëve të tyre e jo për hallet e popullit.

“Kur dëgjoj kandidatët e tjerë pyes: Çfarë përfaqësojnë ata? Për çfarë e kërkojnë votën tuaj? Njëri prej tyre thotë: ‘Ma jepni votën se përfaqësoj Lulin. Po ma dhatë votën, ne do të bëjmë një bravë më të fortë, do bëjmë dyer më të blinduara, do blejmë më shumë gaz, që t’ua hedhim kolegëve tanë të partisë’. Pala tjetër thotë: ‘Unë jam i Saliut, ma jepni mua votën. Ne do kemi vare më të forta, qysqi më të forta, matrapikë më të fortë, shkallë më të forta, që mbajnë më shumë njerëz’. E duan votën tuaj si levë për t’i rënë tjetrit. Po pse duhet që, një familjar në Rrogozhinë, t’i japë një levë një kandidati që thotë: ‘I vetmi qëllim në jetën time është të forcoj bravën dhe blindën’, apo kandidatit tjetër, që thotë: ‘I vetmi qëllim në jetën time është që, me votën tuaj, të forcoj qysqinë, kokën e dashit, matrapikun’? Këta vetëm për hallet njerëzve s’flasin,” shtoi më tej drejtuesi socialist i qarkut.

 

 

Duke kërkuar votën për Edison Memollën, Veliaj tha se rivalët e PS, qytetet si Vora dhe Rrogozhina i shohin vetëm tranzit. “Sa herë nisen nga Tirana, ku kanë pushtetin, për në Gjirin e Lalzit, ku kanë shtëpitë e pushimit, Vorën e shohin vetëm 30 sekonda, si tranzit. E shohin për 30 sekonda vetëm kur nisen për në aeroport, drejt Holandës. Edhe Rrogozhinën e shohin vetëm 30 sekonda, për të shkuar te fushata tjetër. S’kanë lidhje me njerëzit, nuk kanë rrënjë me njerëzit, nuk kanë dashuri për njerëzit. Shikoni çfarë po ndodh në Ukrainë dhe pse është e rëndësishme të kesh lider të mirë. Kishte lider edhe Afganistani, por sa erdhi rreziku, i hipi avionit dhe iku. Kishte lider Ukraina dhe sa erdhi rreziku, u ngul aty, në bodrumin e zyrës së tij, dhe tha: “Nuk iki! Do luftoj me popullin tim!” e mbylli Veliaj fjalën e tij.

Ai garantoi se Partia Socialiste në këto zgjedhje do korrë dy fitore të mëdha, edhe në Rrogozhinë, edhe në Vorë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.