Vetëm ambasadori Borchadt si “person non grata” apo edhe një tjetër?!

465

-Në Shqipëri e kemi bërë të udhës që edhe parashikimin e motit presim ta dëgjojmë nga ambasadorët dhe ndaj kemi arritur në pikën ku datën e zgjedhjeve, fituesin, madje dhe ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave e presim nga diplomatët e huaj. Është një çmenduri shqiptare që i ka kthyer ambasadorët në guvernatorë të pa shpallur të Shqipërisë që marrin vendime ku tejkalojnë detyrën dhe misionin e tyre.

Presidenti Ilir Meta ka vendosur të dje të bëjë një akt të fortë dhe dinjitoz kundër diplomatit të OSBE në Tiranë, ambasadorit  Bernd Borchadt. Kreu i shtetit ka njoftuar Asamblenë Parlamentare të OSBE në Kopenhagen, si dhe Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë se ambasadori i OSBE në Tiranë nuk është më i mirëpritur në zyrën e Presidentit të Shqipërisë. Një vendim i tillë realisht është i pazakontë, por edhe motivet dhe gjestet e ambasadorit  Borchadt në Tiranë kanë qenë të pazakonta dhe fyese për një diplomat të një organizate të rëndësishme si OSBE. Presidenti jep vetëm dy momente flagrante të qëndrimeve të ambasadorit që e kanë çuar në këtë vendim. I pari është vendosja në diskutim dhe mosnjohja e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet vendore. Një diplomat, sipas Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet diplomatike e ka të ndaluar të komentojë, të flasë apo të mbajë qëndrime për zhvillimet e brendshme politike në vend. Aq më pak të marrë rolin e “gjyqtarit” për një dekret të Presidentit të një vendi. Çdo diplomat e di se komentet apo mbajtja anë në procese të ndryshme politike të një vendi është shkelje që i kushton me mandatin e tij. Në Shqipëri e kemi bërë të udhës që edhe parashikimin e motit presim ta dëgjojmë nga ambasadorët dhe ndaj kemi arritur në pikën ku datën e zgjedhjeve, fituesin, madje dhe ligjshmërinë e vendimeve të gjykatave e presim nga diplomatët e huaj. Është një çmenduri shqiptare që i ka kthyer ambasadorët në guvernatorë të pa shpallur të Shqipërisë që marrin vendime ku tejkalojnë detyrën dhe misionin e tyre. Kur dihet se çdo diplomat ka mision vetëm të përmirësojë marrëdhëniet mes dy vendeve apo vendit pritës dhe organizatave dhe jo të kthehen në shërbëtorë të aktorëve politikë në vendin që i pret.

Arsyeja e dytë e vendimit të Presidentit për ambasadorin e OSBE ka të bëjë me çështjen e dinjitetit qytetar. Ambasadori  Bernd Borchadt u filmua teksa fyente me gjeste gratë dhe protestuesit e Unazës së Re që kërkonin nga policia lirimin e të arrestuarve që mbronin shtëpitë e tij. Një akt i tillë është pak të thuhet se është fyerje ndaj qytetarëve. Më shumë se kaq është një fyerje ndaj gjithë shqiptarëve. Një ambasador, aq më pak ai i OSBE që ka detyrë mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ndaj nuk mund të tallet me qytetarët. Gjesti u dënua nga mediat, nga politikanë, por jo nga qeveria “Rama”. OSBE nisi një hetim por nuk mori masa ndaj tij duke u mjaftuar me një vërejtje. Fyerja ndaj grave dhe vajzave nga një ambasador nuk mund të trajtohet si një procedurë burokratike. Me vendimin për ta shpallur “non grata”, Presidenti ka ndërmarrë një akt që tregon respekt për qytetarët e Shqipërisë, kushdo qofshin ata.

Nga Partia Socialiste akti i kreut të shtetit u anatemua si një qëndrim i rëndë. Në fakt, ky ambasadorë dhe të tjerë, këto vite që janë kthyer në avokatët më të mëdhenj të keqverisjes së Edi Ramës. Janë të njëjtët ambasadorë që nuk folën kur vendi u mbush me hashash që nga fshatrat dhe deri afër vilave luksoze ku pushonin, megjithatë këta diplomatë nuk folën. Janë këta ambasadorë që lejuan që në Shqipëri të kryhen krimet më të mëdha politike të qeverisë duke heshtur për kapjen e gjithë institucioneve nga qeveria. Janë të njëjtët ambasadorë që dolën garantë për reformën në drejtësi dhe sot nuk po flasin kur qeveria “Rama” po kap çdo institucion. Janë këta ambasadorë që në konferenca lodhen duke folur për demokracinë apo zgjedhjet dhe më 30 qershor mbështetën Edi Rama të bënte zgjedhje si në komunizëm. Janë po këta palo diplomatë që guxuan edhe të njohin rezultatin e vjedhjes së mandateve të deputetëve, pas djegies së mandateve nga opozita. Akti i kreut të shtetit u sulmua dhe nga disa palo gazetarë si një gabim diplomatik. Në fakt, nuk duhet të kemi asnjë keqardhje për zotin Borchadt. Që akti i Presidentit nuk ishte gabim diplomatik e tregoi vizita e djeshme e delegacionit po të OSBE në Tiranë. Pak orë pasi Presidenti njoftoi vendimin për Borchadt Presidenti u vizitua nga një delegacion i nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Roberto Montella. Nëse presidenti do e kishte gabim, siç thotë PS, drejtuesit e lartë të OSBE do kishin mbajtur qëndrim. Fakti që takuan Presidentin tregon se Borchadt ishte shkelje të misionit të tij dhe ky është fakt që e pranojnë dhe vet drejtuesit e OSBE.

Kriza politike në Shqipëri dhe kaosi me reformën në drejtësi dhe korrupsionin është prodhuar nga qeveria, por në këtë katrahurë kanë dorë dhe disa diplomatë. Kjo krizë është prodhuar nga një pjesë e diplomatëve të papërgjegjshëm që duket se punojnë me mëditje për PS dhe Rilindjen. Borchadt e mori përgjigjen dinjitoze për sjelljen prej militant politik, por do të ketë dhe të tjerë që do demaskohen shumë shpejt. Janë njerëz që kanë futur duart në reformën në drejtësi dhe kanë ndihmuar Rilindjen të sabotojë reformën në drejtësi. Kjo tallje e këtyre pseudo diplomatëve duhet të marrë fund.

Mili Xhani

Comments are closed, but trackbacks and pingbacks are open.