Viti i ri shkollor, Shahini: Në fokus shëndeti. Vejsiu: Dyfish mësues, orare të plota

0 335

Me ardhjen e shtatorit, nxënës dhe mësuesit do të kthehen në bankat e shkollës për vitin e ri arsimor, edhe pse pandemia e Covid-19 në Shqipëri vijon me shifra të larta. Zyrtarë të lartë të Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) kanë vijuar konsultimet me aktorë të ndryshëm mbi masat e ndërmarra deri më tani me qëllim krijimin e kushteve të sigurta në ambientet e shkollës dhe mbarëvajtjen e procesit mësimor. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini bën me dije se janë zhvilluar konsultime mes zv/ministres Nina Guga, drejtorëve të MASR, Zamira Gjini, Selman Hodaj dhe Gerti Janaqi me përfaqësues të Këshillit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar, Këshillit Kombëtar të Prindërve, sindikatave e arsimit dhe organizatave të ndryshme.

Masat e ndërmarra deri më tani nga MASR, mënyra e zhvillimit të mësimit, detajimi final i udhëzuesit për vitin e ri shkollor, ishin disa prej temave të trajtuara në këtë konsultim mes përfaqësuesve të MASR dhe palëve të tjera. Shahini nënvizon se qëllimi kryesor është ruajtja e shëndetit të nxënësve, prindërve e mësuesve, gjatë zhvillimit të procesit mësimor në shkollë. Më herët ishte ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi e cila tha se me hapjen e shkollave rreth 510 mijë nxënës dhe mësues janë të rrezikuar drejtpërsëdrejti nga infektimi për shkak të papërgjegjshmërisë së kryeministrit në ikje dhe ministreve të tij të paafta të arsimit dhe të shëndetësisë. Plani për mënyrën e zhvillimit të mësimit në kushtet e pandemisë shihet me skepticizëm nga specialistët e arsimit.

Ish-drejtori i Arsimit parauniveristar Fatmir Vejsiu, mbështet rikthimin e nxënësve në shkolla në 14 shtator por sipas tij programi mësimor duhet të jetë i plotë dhe jo me orë të shkurtuara. “Në udhëzim nuk pashë asgjë, veç distancim social, mbrojtja nga Covid, penalitetet, hyrjet-daljet, pa marrë parasysh përmasat dhe kushtet e të gjithë shkollave të vendit. Shumë gjëra që teorikisht janë të domosdoshme, uji i nxehtë, klorifikimi, larja e duarve, të gjitha janë me kosto. I kanë shkollat këto? Unë e di që si kanë, në qytet dhe jo më në fshat”.

Sa i përket planit të ministrisë që mësimi me turne të përballohet nga mësuesit aktual, për Vejsiun kjo është e pamundur. Sipas tij vetëm në Tiranë duhet dyfishi i mësuesve aktualë për të përballuar ngarkesën mësimore të ndarë në disa turne. “Tirana vetë ka 70 shkolla me 40 klasa secila. Do 1.5 mësues secila klasë, i bie 60 mësues çdo shkollë. Po të bësh ndarjen, duhen minimalisht dyfishi i mësuesve që punojnë aktualisht në sistem. I bie të shtohen 4200 paga ose mësues, përdor termin paga ose mësues sepse kushdo që mendon se mësuesit që janë mund të bëjnë dyfishin e ngarkesës e kanë gabim, pasi mësuesit nuk i bën dot fizikisht dhe profesionalisht”.

Ministria e Arsimit vendosi që nxënësit do të jenë çdo ditë në klasa, të ndarë në disa turne dhe me orë 30 minuta. Drejtoresha e arsimit parauniversitar, Zamira Gjini, sqaron se shkollat e mëdha që edhe para pandemisë ishin me turne, këtë vit do ta zhvillojnë mësimin të reduktuar dhe deri në 4 turne. Me ndarjen e klasave dhe rritjen e ngarkesës mësimore do të ketë nevoja edhe për rritjen e numrit të mësuesve, ndaj dhe Gjini tregon se mësimi është planifikuar të zhvillohet në klasa i alternuar me atë që do të transmetohet në televizion. Në varësi të situatës nga epidemia dhe rasteve të infektimit në shkolla, mësimi mund të kthehet online në institucione dhe për lëndë të caktuara.

Leave A Reply

Your email address will not be published.