Zëri i Amerikës dhe DW: Në Shqipëri rritet censura shtetërore ndaj medias

0 9

Media në këtë kohë të pandemisë së Covid-19 ka dhënë informacione të nevojshme për të gjithë ne dhe vijon të jetë në vijën e parë të luftës por që në Shqipëri, është rritur censura shtetërore ndaj medias. “Reporterë pa kufij” publikoi sot renditjen e lirisë së shtypit, ku Shqipëria zë vendin e 84. Sipas DW, në renditjen e lirisë së shtypit vendet e Ballkanit zënë vendet e mesit. “Shqipëria renditet e 84, kurse Kosova zë një vend më të mirë atë të 70-të. Po ashtu edhe Bosnja-Hercegovina renditet në një vend më të mirë se vendet e tjera të Ballkanit, atë të 58. Serbia zë evndin 93, Maqedonia e Veriut renditet e 92-a kurse Mali i Zi renditet më keq në vendin e 105-të. Kroacia zë vendin e 59”.

Zëri Amerikës: Rënie në Shqipëri

Shqipëria radhitet në vendin e 84-të, dy vende më poshtë nga një vit më parë. Në raport thuhet në vitin 2019, qeveria shtoi përpjekjet për të kontrolluar medien me arsyetimin e luftimit të lajmeve të rreme. Në dhjetor, shumica qeverisëse votoi në parlament një paketë “anti-shpifje” që shtrëngon rregullimin e medieve në internet. “Duke kufizuar lirinë e shprehjes, informacionit dhe shtypit si dhe duke qenë në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare, ligjet rrezikojnë të rrisin censurën dhe t’i bëjnë gazetarët më të brishtë përballë trysnisë së qeverisë, megjithëse president i vendit ka vënë veto ndaj tyre, ligjet janë përsëri në parlament”.

Nga mesi i marsit, ligjet duket se janë vënë në pritje pas kritikave nga shtatë organizata për lirinë e shtypit, përfshirë Gazetarët pa Kufij dhe vizitën e Presidentit të Parlamentit Evropian në Shqipëri. Ligjet, thuhet në raport, do të përkeqësojnë më tej situatën e lirisë së shtypit në një vend ku qeveria rregullisht kufizon qasjen e gazetarëve në informacione zyrtare dhe kontrollon tregun televiziv përmes licencave të transmetimit. Viti 2019, thuhet në raport, shënoi gjithashtu abuzimin e një situate të krizës për frenimin e lirisë së shtypit. Në kohën e tërmetit shkatërrues, dy gazetarë dhe një aktivist u arrestuan për përhapjen e “lajmeve të rreme” dhe “shkaktimit të panikut”, ndërsa disa media online kritike për veprimet e qeverisë u mbyllën nga organet qeveritare.

Me shpërthimin e krizës së koronavirusit në mars të vitit 2020, kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mbrohen, ndër të tjera, nga mediet. Sulmet fizike dhe rastet e shpifjeve të ngritura gjithnjë e më shumë nga zyrtarët kundër gazetarëve vazhdojnë të nxisin klimën e pasigurisë dhe frikësimit. Kjo, thuhet në raport, në kombinim me gjuhën denigruese të politikanëve i shndërron gazetarët ne shënjestra të mundshme sulmesh. Ndërkohë, autoritetet e vendit që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, nuk arrijnë të zgjidhin dhe sanksionojnë raste të ndryshme të sulmeve fizike dhe kërcënimeve serioze kundër gazetarëve, theksohet në raport.

Leave A Reply

Your email address will not be published.