Zgjedhjet e pjesshme vendore në mars, Kristaq Kume zbardh procedurat: Data e re jo më larg se 45 ditë, KQZ njeh Bashën si kryetar të PD

0 135

Zgjedhjet e pjesshme vendore pritet të mbahen brenda 45 ditëve. Presidenti ka nisur procedurat për zgjedhjet e reja në 6 bashkitë pa kryetar dhe për të sqaruar këtë situatë gazeta foli me ish-kreun e KQZ, Kristaq Kume. Ai sqaroi se në momentin që presidenti merr njoftimin për vakancat brenda 48 orëve duhet të dekretojë datën. Kume u shpreh se kjo datë duhet jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e firmosjes së dekretit pasi sipas tij kjo është rruga që parashikohet në legjislacion. “Atëherë në momentin që presidenti merr njoftim për vakancat, brenda 48 orëve duhet të dekretojë datën për zgjedhjet për kryetarin e bashkisë. Datë e cila si rregull duhet të jetë jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga dita e firmosjes së dekretit nga presidenti. Kjo është rruga që parashikohet në legjislacionin tonë”, deklaroi ai. Pra nëse bëjmë llogaritë duke përfshirë dhe vonesat me shkresën nga Kryeministria, e sigurt është se zgjedhjet pjesshme do mbahen në ditë e para të marsit.

Konflikti në Partinë Demokratike

Nga ana tjetër ish-kreu i KQZ ka komentuar edhe situatën aktuale brenda Partisë Demokratike. I pyetur se kush ka të drejtë të propozojë kandidatë nëse Partia Demokratike hyn në zgjedhje, Kume u shpreh se PD është e regjistruar si subjekt politik dhe kryetari i saj është Lulzim Basha. Ai tha se ish-kryeministri nëse nuk zgjidh problemet me pjesën tjetër të partisë ka dy rrugë që mund të ndjekë. Kume u shpreh se njëra mundësi është që mund të krijohet një parti politike e re ose Berisha të garojë nëpërmjet regjistrimit si kandidat i pavarur. Ish-kreu i KQZ tha se është shumë vështirë që problemi të zgjidhet mes Berishës dhe Bashës gati e pamundur prandaj sipas tij palët do të shkojnë të ndara, Basha me siglën e PD dhe Berisha me kandidaturë të pavarur. “Duke iu referuar situatës aktuale në qoftë se do të ndodhte sot ose më saktë do të zhvillohej sot një procedurë e tillë e drejta për tu regjistruar si subjekt zgjedhor, si parti politike është e Lulzim Bashës ose asaj pjese të partisë që ndjekin Bashën. Komisioneri shtetëror do t’i referohet në këtë rast faktit që në Gjykatën e Tiranës është i regjistruar subjekti Partia Demokratike kryetar i të cilit është Lulzim Basha. Berisha për tu regjistruar si subjekt politik natyrisht ose duhet të zgjedhë problemin me të vetët, pra me pjesën tjetër të Partisë Demokratike, ose në qoftë se nuk do të arrijë do ta zgjidhë këtë problem janë dy rrugë. Njëra mundësi është që mund të krijohet një parti politike e re ose rruga e dytë është të garojë nëpërmjet regjistrimit si kandidat i pavarur. Natyrisht pastaj sqaron gjatë fushatës elektoratin se ç’është ky kandidat i pavarur dhe kërkon votat për të. Për zgjedhjet lokale për mua është shumë e vështirë që të zgjidhet problemi midis dy palëve pothuajse e pamundur dhe palët do të shkojnë të ndara në zgjedhje. Njëra me siglën e Partisë Demokratike, pjesa e Berishës me kandidaturë të pavarur”, u shpreh ai.

Leave A Reply

Your email address will not be published.