Zgjedhjet në Universitete! Presidenti Meta pret nesër një grup studentësh

0 292

Presidenti Ilir Meta, do të presë nesër në një takim një grup studentësh, të cilët mes të tjerave kanë dy kërkesa kryesore, që zgjedhjet e 30 korrikut në universitete të mos zhvillohen për shkak të pandemisë dhe që pesha e votës së tyre të rritet nga 10% që është aktualisht në 30%. Takimi do të zhvillohet nesër në orën 10:30. Studentët do i parashtrojnë kreut të shtetit kërkesat dhe shqetësimet e tyre. Zgjedhjet në universitete do të zhvillohen në datë 30 korrik.

Kërkesën e tyre ata e mbështesin me faktin se privimi i pjesëmarrjes në procesin e votimit i më shumë se 3/5 të studentëve cenon nenin 39, pika 2 të Ligjit për Arsimin e Lartë, në të cilin cilësohet shprehimisht se:

Në institucionet publike të arsimit të lartë, rektori zgjidhet nga anëtarët e asamblesë të personelit akademik të njësive kryesore dhe nga studentët.

“Sipas vlerësimit tonë, duke marrë parasysh rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi shmangien e aktiviteteve që mund të ndikojnë në përhapjen e mëtejshme të Covid-19, masat e ndërmarra nga shteti shqiptar si dhe faktin që nuk ka pasur asnjë ndryshim në faktorët që e çuan ministren e Arsimit, Sportit dhe Rinisë të shtyjë dy herë datën e fillimit të periudhës zgjedhore, ky proces është i parealizueshëm dhe nuk e garanton të drejtën parësore të procesit, atë të votës. Në kushte të tilla, përfaqësuesit e zgjedhur prej një shumice të dalë nga pakica e votuesve nuk mund të jenë legjitimë dhe nuk mund ta përfaqësojnë shumicën reale, së cilës i mohohet e drejta e votës”.

Së dyti, ata theksojnë se mungesa e një procesi të plotë – me procese llogaridhënieje nga drejtuesit aktualë të Institucioneve të Arsimit të lartë dhe me një prezantim real platformash dhe alternativash të propozuara nga kandidatët për organet drejtuese të institucioneve të Arsimit të lartë – krijon në vetvete vetëm një proces formal dhe aspak të dobishëm, dhe kjo falë mungesës së kushteve minimale për konkurrim real dhe garë të drejtë e të ndershme. Gjithashtu, ky proces krijon edhe një precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe jetën universitare në vetvete.

Së treti, në shumicën e proceseve zgjedhore të zhvilluara në Universitetet publike të Republikës së Shqipërisë janë hasur problematika procedurale dhe mungesa fizike e kohore për të zhvilluar një proces të drejtë zgjedhor, siç parashikohet në Rregulloret përkatëse të Institucioneve të Arsimit të lartë. Ky nxitim i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë për të zhvilluar zgjedhje në kushte të tilla – siç i kemi parashtruar më lart – ka thelluar edhe më tej konfliktin institucional mes Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Komisionit Institucional të Zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, duke krijuar përplasje dhe polemika rreth zhvillimit dhe integritetit që mbartin në vetvete këto zgjedhje.

Leave A Reply

Your email address will not be published.